Musliu jep informacione për përgatitjen e grupit të Radoiçiqit në Serbi
Kryetarja e komisionit parlamentar për siguri, Ganimete Musliu, pas raportimit të drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës të Kosovës (AKI), Petrit Ajeti, ka thënë se janë informuar për gjendjen e sigurisë në vend që sipas të dhënave të AKI-së aktualisht situata vlerësohet të jetë stabile.
Musliu, para gazetarëve sqaroi se edhe situata në katër komunat e Veriut është e qëndrueshme.
“Zotëri Petrit Ajeti, na raportoi për gjendjen e sigurisë në vend. Mund të themi ose të konstatojmë se gjendja e përgjithshme e sigurisë në Kosovë, pas këtij takimi se gjendja e sigurisë në Republikën e Kosovës është stabile”.
“Situata në katër komunat veriore është e qëndrueshme, edhe pse ndërhyrjen dhe përpjekjet e Serbisë për tensionim të situatës janë të vazhdueshme. Kërcënimi nga Serbia dhe organizatat paramilitare dhe terroriste, anëtarët e të cilave po strehohen dhe trajnohen në Serbi, vlerësohet si shumë i lartë”, tha ajo.
Mgjithatë ka grupe terroriste të cilat po ushtrojnë në disa zona – për t’u përgatitur për sulme ndaj Kosovës.
“Bazuar në të dhënat e Inteligjencës, së fundmi grupi terrorist është duke kryer ushtrime në disa lokacione në rrethinën e Novi Pazarit, Kopaunikut dhe të Kralevës. Grupi i udhëhequr nga Milan Radojiçiç vazhdon të jetë i strukturuar, ka mjete të mjaftueshme, ka armë dhe mbështetje të vazhdueshme nga Beogradi zyrtar”.
Ajo ka përmendur disa nga veprimet që po bën Serbia për ta provokuar situatën në Kosovën.
“Ushtria serbe ka rritur pranin e patrullave dhe dronëve në zonën për rreth kufirit në Veriun e Kosovës, sidomos nga Zubin Potoku deri në Leposaviq. Rritja e kapaciteteve ushtarake të Serbisë, përqendrimi i forcave serbe afër kufirit me Kosovën si dhe stërvitjet ushtarake të anëtarëve të formacioneve terroriste janë tregues se Serbia vazhdon të ketë synime agresive drejt Kosovës”.
Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti, ka raportuar në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë me dyer të mbyllura.
Raportimi i tij ka ardhur pas deklaratave të krerëve të shtetit se situata e sigurisë s’është stabile.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një interviste për prestigjiozen amerikane, CNN, ka potencuar se fundmi se “Serbia është shumë agresivë ndaj Kosovës”.
“Fillimisht duke mos e njohur si shtet të pavarur, krahas kësaj është e angazhuar në luftë hibride dhe bën stërvitje ushtarake në kufi”, i tha ai gazetares britaniko-iraniane, Christiane Amanpour.
Duke nënvizuar faktin se Serbia ka 48 baza operative përgjatë kufirit me Kosovën, Kurti potencoi se Beogradi është “në pritje të një dritareje të re të mundësive”.
Ndërsa, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, në një intervistë për Albanian Post ka deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës në vazhdimësi përgatitet dhe trajnohen në rast të ndonjë sulmi nga jashtë, eventualisht nga grupe që financohen nga Serbia.
Edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, më 8 korrik ka deklaruar se do të shpërthejë një luftë e gjithanshme në rajon.