Nagavci fajëson opozitën për dështimin e dy seancave

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka fajësuar deputetët e opozitës për dështimin e dy seancave të jashtëzakonshme që u mbajtën sot.
“Sapo e pamë se përfunduan pa sukses dy seanca tejet të rëndësishme për vendin në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme. Ishim të gjithë dëshmitarë se deputetët e opozitës nuk morën pjesë në seancën e ftuar për të votuar presidentin e vendit dhe as nuk dhanë asnjë nënshkrim apo ndonjë propozim në lidhje me një president konsensual”, ka thënë Nagavci.
Ajo ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka qenë e gatshme që të mbështesë, gjegjësisht të japë nënshkrimet për kandidatët që mund të vinin si propozime nga LDK apo nga PDK, por sipas saj, po ashtu kanë hapur diskutimet dhe kanë qenë të gatshëm të mbështesim me nënshkrimet e tyre dhe të diskutojnë për ndonjë kandidat konsensual jo partiak.
“Përtej kësaj paraprakisht pamë edhe seancën ku proceduam ndryshimet amendamentuese për Kushtetutën në mënyrë që presidenti të mund të zgjidhej me votat e qytetarëve, pra direkt në populli. Dhe edhe aty e pamë, se përderisa PDK deklaroi se nuk do të mbështesin me votë, kryetari i LDK-së deklarativisht e përmendi se do të japin mbështetjen me votë, ndërkohë që deputetët e tjerë me deklaratat e tyre patën qëndrime të ndryshme dhe po ashtu nuk ishin të pranishëm të 15 deputetët e LDK-së”, tha Nagavci.
Ajo tutje bëri të ditur se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese menjëherë, nga e cila do të kërkojnë që të merr masë të përkohshme. Nagavci ka bërë thirrje që të shqyrtohet me prioritet kjo kërkesë e LVV-së, pasi sipas saj, ata besojnë se deputetët që nuk kanë marrë pjesë në votim, duke pamundësuar kuorumin për votim të presidentit, kanë bërë shkelje kushtetuese.
Ajo ka thënë se presin që përgjigjja e Gjykatës Kushtetuese të jetë në favor të kërkesës së tyre.



