Në pritje të çekiçit ‘të tretë të vërtetë’ kushtetues për Kuvendin: Masa e përkohshme përfundon nesër

Dimal Basha e shpalli “të konstituar” Kuvendin e Kosovës.
Tha se s’ka asnjë arsye pse jo: edhe pa zgjedhjen e një anëtari serb, e kodifikuar kjo në Kushtetutë të Kosovës.
Përveç e kodifikuar në Kushtetutë të Kosovë, e germëzuar edhe nga vetë Vetëvendosja në Rregulloren e Kuvendit që e kanë shkruar vetë më 2022.
Aty ata i dhanë ekskluzivitet të trashur komplementar mbi tekst kushtetues, se propozimi bëhet “nga shumica e deputetëve të komunitetit serb”.
Dhe krejt kjo u pamundësua kur deputetët serbë (Dhjetë, nëntë prej tyre të Listës Serbe dhe një më vete) të Kuvendit të Kosovës s’kishin vota për ta zgjedur Nënkryetarin serb – çka numerikisht është e pamundshme ta zgjedin vetë: duhen 61.
Situata shkoi në Gjykatë Kushtetuese, e treta herë me radhë që nga nisja e seancës kushtetuese – ndërsa nesër është dita e fundit e masës së përkohshme të vendosur nga gjykata.
Leximet më të gjera në publik janë se Gjykata Kushtetuese mund ta rikthejë prapa votimin për dy Nënkryetarët e pakicave: dhe votimin në pako, si në praktikat e mëhershme.
Votë kjo që u nda nga pako me kërkesë të deputetit nga radhët e komunitetit egjiptian, Elbert Krasniqit, i.e Vetëvendosjes.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë abstenuar nga votimi, duke e konsideruar si praktikë anitkushtetuese ndarjen e votës.
LDK pretendon se votimin për njërin Nënkryear nga radhët e pakicave jo-serbe e ka votuar “gabimisht”.
Lutfi Haziri, deputet dhe Nënkryetar i Lidhjes Demokratike, në pritshmëritë e tij thotë se vendimi i radhës i GjK-së, si rëndom, do të reflektojë frymën kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese gjithmonë ka sjellë vendim të qartë, e ka interpretu kërkesën specifikisht të grupit të deputetëve dhe e ka përkthy frymën kushtetuese në vendime për të gjithë ne, dhe institucionet e Kosovës”.
Dhe këtë vendim në ardhje, tha ai, LDK do ta respektojë.
Kështu, që unë pres me qenë vendim i qartë e i cili e konfirmon frymën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Sidoqoftë, LDK ka me respektu“, ka thënë ai në një prononcim për IndeksOnline.
Vetëvendosja i ka çuar sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese deri edhe në “tradhti shtetërore” nëse ajo i jep “veto” Listës Serbe për çështje të Nënkryetarit serb të Kuvendit.
Ismet Kryeziu nga Instituti Kosovar për Demokraci, megjithëse bllokadën e sheh në masën e saj më të madhe pasojë “të veprimeve të papërgjegjshme” të Vetëvendosjes, nuk i amniston as partitë ish-opozitare.
“Pavarësisht se çfarë interpretimi që do të japë nesër Gjykata Kushtetuese, përgjegjësia për ngërçin dhe bllokimin e formimit të institucioneve mbetet politike dhe rëndon mbi të gjitha partitë politike. Veprimet e papërgjegjshme të Vetëvendosjes, të ndjekura në një masë të madhe edhe nga opozita, nuk ishin thjesht gabime procedurale, por zgjedhje politike që e kanë thelluar krizën institucionale në vend”, tha ai.
“Vakumi juridik e kushtetues është shfrytëzuar si një mbulesë për mungesë vizioni, mungesë përgjegjësie politike dhe përpjekje për të fituar kohë, ndërkohë që institucionet mbeten peng të këtij ngërçi të vetëshkaktuar nga partitë, në dëm të shtetit dhe qytetarëve”, shtoi ai.
Nga Vetëvendosje megjithëse thonë se “do të respektojmë secilin vendim” të Gjykatës Kushtetuese: sulmet ndaj gardianit të rendit kushtetues kanë qenë prej më të rëndave.
“Po e presim me padurim vendimin”, tha ditë më parë, ambasadori britanik në vend, Jonathan Hargreaves, në një intervistë me Radion Evropa e Lirë.
“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, po, të gjithë po presim me padurim vendimin javën e ardhshme, dhe shpresoj që Gjykata të jetë në gjendje ta japë në kohë”.
“Jemi shqetësuar, sikurse të tjerët, për disa fjalë që janë thënë rreth Gjykatës Kushtetuese dhe për pasojat që mund t’i kishin, nëse Gjykata do të mund ta bënte punën e saj siç duhet dhe nëse vendimet e saj do të respektoheshin plotësisht.
Ndaj, shpresoj shumë dhe pres që të gjitha partitë politike dhe gjithë shoqëria ta lejojnë Gjykatën të punojë dhe, më e rëndësishmja, t’i zbatojnë vendimet që ajo merr”, tha ai.



