Nga goma në fushata politike, te fishkëllimat për Xhakën – ironia e Kosovës moderne

Shkruan: Dardan Shala

Në vitin 2023 fillova masterin në Universitetin e Prishtinës. Lëndën e diplomacisë ndërkombëtare e vijova gjatë semestrit të dytë dhe, për herë të parë, fillova me u njoftu me terminologjinë që përdoret kur flet për vendin tand brenda kufijve, por që prek edhe jashtë tyne. Kjo lëndë m’i hapi sytë ndryshe ma dha një mënyrë tjetër me e kuptu se si një shtet mundet me u prezantu në botë pa e ngritë zërin.

Isha me shumë fat që u zgjodha ndër studentët e paktë që fituan bursë Erasmus për studime jashtë vendit. Ishte hera e parë në jetën time që, në moshën 23-vjeçare, dola jashtë Kosovës. E aty, tue u përballë me kultura, etnitete, fe, gjuhë e larmi gjanash që i shihja për herë të parë, filloi me u shemb krejt iluzioni që kisha ndërtu gjatë këtyne 23 viteve.

Deshti fati me qenë në Salzburg në mes të Evropës. Dhe, tue dashtë me i shfrytëzu sa ma shumë katër muajt që kisha, fillova me udhëtu: prej Viennës në Nuremberg, Munich, Westphalia, Stuttgart, Frankfurt, Düsseldorf, Paris, Strasbourg, Zürich, Freiburg, qytete të ndryshme zvicerane e holandeze, në shumë vende të Austrisë, Greqisë e Kroacisë… Isha me shumë fat, por gjithmonë mbetej një sfidë:

“Ku është Kosova?”

Shpesh më pyesnin edhe me “Kako si?”, sepse kështu na shohin në një thes me krejt Ballkanin. Krejt gjaku më mblidhej në grushta sepse ende s’e zotëroja “gjuhën e butë”, atë diplomatiken.

Jo të gjithë i njihnin këngët e Dua Lipës e Rita Orës, kompozimet e Ram Lahajt. Jo të gjithë kishin pa filmat e Jim Belushit, kishin lexu Kadaresë, kishin dëgju për Nënë Terezën.

Por kishte një kartë që funksiononte përditë, pa gabim.
Mjaftonte me e përmendë, e personi përballë teje menjëherë qeshte, kryqëzonte duart në formë shqiponje, e shpesh më thoshte:

Ku je shqipe?”

Kjo kartë ishte futbolli.

Futbolli si diplomacia jonë ma e fuqishme

Në marrëdhëniet ndërkombëtare ekziston një mënyrë me i ba shtetet e tjera me të dashtë pa presion, pa forcë. Quhet soft power.

Joseph Nye e shpjegon kështu:

Soft power është mënyra se si një vend i bind, i pëlqen apo i frymëzon të tjerët, jo tue i detyru, por tue i ba vetë me u sjellë ashtu siç ai vend dëshiron.

Kosova, prej vitesh, është tërheqë mes Lindjes e Perëndimit, tue kriju një konfuzion identiteti. E këtu në Salzburg, tash në vitin e dytë, gjithmonë më ka habitë pse këto vende investojnë kaq shumë në festivale, të vogla e të mëdha; pse qytetarët vishen bukur, festojnë, gëzojnë çdo detaj të kulturës së tyre.

Ndërkohë, Kosova shpesh të ofron vetëm stres, ankth, mental illness; gazetarë që i mbushin sheshet me pyetje për virgjërinë, Zotin, kombin e bakshishin…

Por ka pika shprese. Janë njerëzit që na rrisin fytyrën.

Nuk e harroj vitin 2019, mes llumit të politikës dhe qenve endacak, kur Granit Xhaka organizoi një ndeshje bamirësie në Prishtinë. Aty ishin bashkë shumë figura publike. Për një ditë, qyteti mori frymë. Zemra mal. Ajo natë s’harrohet.

Po ashtu s’i harrojmë dy golat e Zvicrës kundër Serbisë, shënuar nga Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, as përshëndetjen e ngrohtë të presidentes zvicerane ndaj shqiptarëve, falë këtyre djemve.

Këta njerëz e bajnë Kosovën me u dukë ndryshe prej Hauptbahnhof-eve të Evropës deri te takimet me studentë e profesorë.
Asnjë takim s’niste me biseda politike.

Fillonim me art.
Me kulturë.
Me ushqim.
Me jetë.

Kjo është fuqia e futbollit.

Pastaj erdhi nata kur disa shqiptarë e fishkëllyen Xhakën…

Në ndeshjen Zvicër–Kosovë, sa herë që Graniti prekte topin, një pjesë e tifozëve fishkëllyente.

Janë po ata njerëz që përditë durojnë:

– lirinë që u vjedhet,
– të ardhmen që u merret,
– qentë endacak,
– mjedisin e shkatërruar,
– banesat me stil sovjetik,
– papastërtinë,
– politikanët që i gënjejnë.

Janë po ata që festojnë me goma makinash për ata që ua kanë vjedhë të ardhmen, por fishkëllejnë për atë që ban qytetarët e huaj me i kryqëzu duart e me ba shqiponjën kur e përmend emrin e Granit Xhakës.

Bota na njeh ma shumë për Xhakën sesa për politikanët tanë.

Asnjëherë s’kam qenë tifoz i madh i futbollit, por ky sport gjithmonë më ka intrigu. Ka peshë. Ka ndikim. Ka një diplomaci të vetën që s’ka nevojë për podium.

Ne nuk duhet me fishkëllye ata që na kanë ba të dukshëm.
Duhet me fishkëllye ata që e cungojnë Kosovën, rrezikojnë ekzistencën, presin pyjet, dëmtojnë liqenet dhe na vjedhin të ardhmen.

Granit, vazhdo me shkëlqy.

Sepse kur ti ngre kokën lart, e ngremë edhe na.

Artikuj të tjerë

Back to top button