Nga lufta për titull te mbijetesa, tri ndeshje kyçe në Serie A

Interi mbron kreun, Juventusi dhe Como për përballje direkte, duele të forta në programin e sotëm
Tri ndeshje me peshë zhvillohen sot në Serie A, me skuadrat që kanë objektiva të ndryshëm sipas pozicioneve aktuale në tabelë, nga gara për titull deri te mbijetesa.
Në orën 15:00, përballja më interesante në letër është ajo mes Juventus dhe Como. Bardhezinjtë renditen në vendin e pestë me 46 pikë dhe kërkojnë fitore për t’u afruar me zonën Champions, ndërsa Como befason në vendin e gjashtë me 42 pikë dhe synon të vazhdojë sezonin pozitiv duke rivalizuar direkt një kundërshtar të madh për zonën evropiane.
Në orën 18:00, lideri Inter, që kryeson renditjen me 61 pikë, udhëton te Lecce, që ndodhet në vendin e 17-të me 24 pikë dhe lufton për mbijetesë. Zikaltrit synojnë të ruajnë distancën nga ndjekësit dhe të vazhdojnë marshimin drejt titullit, ndërsa Lecce ka nevojë urgjente për pikë për t’u larguar nga zona e rrezikut.
Programi mbyllet në 20:45 me sfidën mes Cagliari dhe Lazio. Skuadra sardine renditet e 13-ta me 28 pikë dhe kërkon stabilitet, ndërsa Lazio është në vendin e 10-të me 33 pikë dhe synon të afrohet me pjesën e sipërme të tabelës për të mbajtur gjallë shpresat për Evropë.



