Gjykata Themelore e Prishtinës, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj 14 zyrtarëve policor, të përfshirë në rastin e datës 18 shkurt 2022 në fshatin Zllatar.
Në këtë natë kritike, i vrarë mbeti polici Lirim Haxholli, që dyshohet se u vra aksidentalisht nga kolegu i tij.
Sipas aktakuzës, të pandehurit F.A., E.I., B.M., E.Th. dhe G.T., më 18.02.2022, rreth orës 22:00, në fshatin Zllatar të Prishtinës, në një villë në këtë fshat, në të cilën kishin organizuar një aheng privat, jashtë detyrës zyrtare, kanë vepruar në kundërshtim me rregullat për autorizimet e policisë dhe përdorimin e armës të parapara në Ligjin për Policinë, në atë mënyrë që në zhvillim e sipër të ahengut, kanë shtënë me armë zyrtare duke përdorur municion jozyrtar, gjersa ishin në tarracën e villës ku zhvillohej ahengu. Me këtë, secili prej tyre individualisht e kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
“Të pandehurit F.A., E.I., B.M., E.Th. dhe G.T., në datën, vendin dhe kohën e lartcekur, si dhe për arsye të njëjta gjatë përdorimit të armës në kundërshtim me ligjin, kanë shkaktuar rrezik të madh për jetën e personave të pranishëm, andaj me këtë kanë kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Derisa për të pandehurit e tjerë, A.B., Xh.B., A.M., A.A., A.Z., I.S., Rr.A., V.Rr. dhe A.M., rëndon akuza se nuk i kanë lajmëruar veprat penale të lartcekura, në atë mënyrë që nuk i kanë raportuar të shtënat me armë zjarri të bëra nga kolegët e tyre-të pandehurit gjatë ahengut ku kanë qëndruar së bashku, andaj me këtë kanë kryer veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre”.
Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.