Nuk ka shenja për formimin e Qeverisë, drejt përfundimit të afatit

Deri më 26 tetor ka kohë Albin Kurti që të shpalosë para Kuvendit të Kosovës përbërjen dhe programin për qeverinë e ri.

Kur ka kaluar më shumë se gjysma e këtij afati, Kurti vetëm ka thënë se do të nis negociatat për të arritur shumicën parlamentare të domosdoshme për votimin e qeverisë.

Opsionet janë të kufizuara pasi Vetëvendosje ka përjashtuar bisedimet me Partinë Demokratike të Kosovës, e cila doli e dyta në zgjedhje, ndërsa ka lënë të hapur derën për një bashkëpunim të mundshëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dhënë asnjë koment mbi diskutimet e mundshme, derisa nga Lidhja Demokratike e Kosovës anonimisht i thanë Radio Evropës së Lirë se nuk janë kontaktuar nga LVV-ja.

LDK-ja ndërkohë e kundërshton koalicionin e një prej anëtarëve të saj, Xhafer Tahirit me Lëvizjen Vetëvendosje në Vushtrri në nivelin lokal.

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, e sheh këtë marrëveshje si një lëvizje të Kurtit për ta fragmentuar LDK-në dhe për ta paraqitur si parti të paaftë në vendimmarrje – gjë të cilën mund ta shfrytëzojë pastaj për avantazh elektoral.

“Dihet hendeku mes LVV-së dhe LDK-së. Duhet shumë punë, angazhim dhe garanci që të arrihet një koalicion në secilën komunë. Ai nuk mund të bëhet lehtë e shpejt, pa koordinim me qendrën”, thotë Muhaxhiri.

Ai shton se, për momentin, nuk ka asnjë shenjë që Kurti po punon për të siguruar 61 votat e nevojshme për formimin e Qeverisë.

Qasja e tij shpesh e shpërfillshme ndaj partive të tjera ka dëmtuar marrëdhëniet e mundshme për bashkëpunim, sipas Muhaxhirit.

“Me kohën që ka mbetur, më realiste duket mundësia e zgjedhjeve të reja sesa arritja e një marrëveshjeje koalicioni”, thekson ai.

Afati kushtetues prej 15 ditësh për prezantimin e Qeverisë së re skadon më 26 tetor.

Pastaj, presidentja Vjosa Osmani, brenda 10 ditësh, duhet t’i ftojë partitë në konsultim dhe, sipas diskrecionit të saj, t’ia japë mandatin një kandidati tjetër që dëshmon se ka shumicën parlamentare.

Osmani tha të hënën se ka ende kohë për të arritur këtë qëllim, duke kritikuar njëkohësisht Listën Serbe për, siç theksoi, krijimin e pengesave.

Lista Serbe, partia më e madhe e komunitetit serb në Kosovë, dorëzoi javën e kaluar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese kundër zgjedhjes së nënkryetarit serb të Kuvendit, Nenad Rashiq, duke pretenduar shkelje të Kushtetutës dhe të rregulloreve të brendshme.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button