
Oda Ekonomike e Kosovës nuk ka marrë pjesë në takimin e thirrur nga Ministria e Financave për çështjen e rritjes së pagës minimale të enjten.
Nga OEK-u këtë takim e kanë quajtur fushatë politike, ndërsa kanë kërkuar takime të nivelit të lartë.
“OEK thekson se në katër vitet e fundit nuk ka pasur asnjë dialog të mirëfilltë e gjithëpërfshirës ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit të biznesit, ndonëse një proces i tillë është thelbësor për adresimin e sfidave ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit”, thuhet në njoftimin e OEK.
Nga OEK-u thuhet tutje se bizneset janë përballur me një sërë vendimesh të njëanshme, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e tregut dhe klimën e investimeve.
Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, ka theksuar se proceset që prekin bizneset, siç është edhe çështja e pagës minimale, kërkojnë qasje serioze, analiza të mirëfillta dhe konsultim të gjerë me sektorin privat.
“Oda Ekonomike e Kosovës është pjesë e Këshillit Ekonomiko-Social me dy anëtarë dhe gjithmonë ka qenë e gatshme për dialog të hapur e konstruktiv. Megjithatë, një qeverisje legjitime dhe e votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës duhet të tregojë përgjegjësi institucionale, duke dëgjuar dhe përfshirë partnerët ekonomikë në proceset e vendimmarrjes”, ka deklaruar Rafuna.



