Osmani: Gratë mund të jenë të suksesshme në udhëheqje të shtetit

Kudo që ka udhëheqje gjithëpërfshirëse, aty ka përparim, mirëqenie dhe demokracia lulëzon në mënyrën më të mirë. Dita ditës kuptojmë se mund të kemi sukses të grantuar qoftë në udhëheqjen e shtetit, të një kompanie apo në organizmin në komunitet, atëherë kur vajzat dhe gratë janë prezente, përfshihen, kanë rol aktiv, u dëgjohet zëri dhe marrin vendime në një platformë të barabartë.
Kështu tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e dytë të konferencës “Java e Gruas 2024”, derisa potencoi se rikthimi në javën e gruas gjithnjë është sikur të kthehesh në shtëpi. Osmani theksoi se sfidat e grave janë të mëdha dhe komplekse, porse duhet angazhuar në ndërtimin e një shoqërie e cila vlerëson dhe e shfrytëzon plotësisht kontributin e secilit individ, përfshirë gratë.
Ndër të tjera, Osmani tha se më përjashtimin e grave dhe vajzave nga vendimmarrja dhe gjithëpërfshirja, komunitete të tëra dështojnë.
“Rikthimi në javën e gruas gjithnjë është sikur të kthehesh në shtëpi…Kudo që ka udhëheqje gjithëpërfshirëse, aty ka përparim, mirëqenie dhe demokracia lulëzon në mënyrën më të mirë. Të gjithë e diimë se sfidat para nesh janë të mëdha dhe komplekse. Ne jetojmë në një kohë të jashtëzakonshme, në një periudhë të transformimit global dhe sfidave të pa precedentë… Përballja me sfidat e shekullit 21 kërkon një ndryshim të botëkuptimit se si i organizojmë shoqëritë tona. Nuk mund të vazhdojmë më të mbështetemi në modelet e vjetra të mendimit dhe veprimit të cilat kanë prodhuar vazhdimisht pabarazi. Në vend të kësaj, duhet të angazhohemi për ndërtimin e një shoqërie e cila vlerëson dhe e cila shfrytëzon plotësisht kontributin e secilit individ. Kjo është e pamundur, pa përfshirë në tërësi kontributin e vajzave dhe grave. Dita ditës kuptojmë se mund të kemi sukses të grantuar qoftë në udhëheqjen e shtetit, të një kompanie apo në organizmin në komunitet, atëherë kur vajzat dhe gratë janë prezente, atëherë kur ato përfshihen, kanë rol aktiv, u degjohet zëri, edhe ato marrin vendime në nje platformë të barabartë. Kur i përjashtojmë vajzat dhe gratë, komunitete të tëra dështojnë”, tha Osmani.