Osmani kërkon reagim nga ndërkombëtarët pas plagosjes e rrëmbimit të qytetarit serb nga Kosova

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas plagosjes dhe rrëmbimit të një qytetari serb nga forcat serbe, prej brenda territorit të Kosovës.
Osmani shkruan se kjo është dëshmi e qasjes hegjemoniste të regjimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Serbia, e cila çdo ditë bën propagandë e dezinformata për të drejtat e serbëve në Kosovë, ka plagosur dhe më pas ka kidnapuar një qytetar serb të Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi shtesë e qasjes së saj hegjemoniste, ku çdo qytetar që guxon të flasë të vërtetën rreth regjimit autokratik të Vuçiqit, sulmohet dhe torturohet në mënyrën më barbare të mundshme”, ka shkruar Osmani.
Presidentja ka bërë thirrje për reagim të menjëhershëm nga komuniteti ndërkombëtar.
“Bota demokratike duhet të reagojë e të ndalë këto sulme të Serbisë që kanë për qëllim rrezikimin e paqes e stabilitetit në rajonin tonë,” ka theksuar Osmani.
Ajo ka bërë thirrje edhe forcave politike në Kosovë që të jenë të bashkuara në mbrojtjen e vendit.
“Skena politike në Kosovë duhet të veprojë e flasë në një zë në mbrojtjen e Kosovës nga tendenca të tilla,” ka përfunduar presidentja.



