
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se kjo parti do ta shqyrtonte mundësinë e mbështetjes së Vjosa Osmanit për Presidente, në rast se emri i saj propozohet nga partia e parë.
Sipas Hazirit, në një skenar të tillë, partia do të analizonte nëse është më e arsyeshme të shkohet në zgjedhje apo të jepet mbështetje për kandidaturën e Osmanit, duke kujtuar edhe qëndrimin e mëhershëm të LDK-së në një situatë të ngjashme.
“Unë mund ta konfirmoi atë që e ka thënë Lumir Abdixhiku, nëse vjen emri i saj, ne e diskutojmë për ta mbështetur, sikur herën e kaluar, nuk ka qenë diskutimi mos me mbështet. Nëse do ta kandidonte partia e parë, ne do ta vlerësonim a duhet të shkojmë në zgjedhje, apo duhet ta mbështesim Vjosa Osmani dhe këtu LDK-ja do të reagonte me racionalitet, besoj sikur edhe herën e parë. Ne nuk e kemi pasur asnjë arsye ta marrim barrën e përgjegjësisë, në Kosovë po kushton ndarja e pozicioneve Kushtetuese shumë shtrenjt. Zgjedhjet janë shumë të shtrenjta në Kosovë”, u shpreh ai në Klan Kosova.
Haziri ka folur edhe lidhur me pretendimet për negociata të mundshme me presidenten Vjosa Osmani dhe mundësinë që ajo të jetë bartëse e listës së kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme.
Ai se partia e tij nuk është e përfshirë në bisedime me presidenten për çështje të tilla politike, duke theksuar se posti i presidentit kërkon respekt institucional dhe se LDK-ja e konsideron këtë zyrë me rëndësi të veçantë për shkak të historisë.
“E vërteta e vetme është se Vjosa Osman-Sadriu është në zyrë si Presidente deri më 5 prill të këtij viti, me autorizime të plota dhe i takon vetëm asaj që gjatë kësaj kohe të bëjë vlerësime, zbardhje apo me shkaktu procese politike që i ka në autoritet dhe në vendimmarrje…LDK-ja nuk ka qenë në negociata, as nuk është në negociata me autoritete të tilla, sepse ne e dimë përfaqësimin, çka do të thotë President i Republikës. Kjo është një lloj lidhje edhe emocionale me atë zyrë, LDK-ja e ka pasur gjithmonë Presidentin dhe Zyren e Presidentit jashtëzakonisht të ndjeshme, për shkak të historisë”, u shpreh ai.
Osmani nuk e përjashtoi mbrëmë opsionin që të rikthehet në LDK.



