Osmani: Suksesi i kadetëve dhe oficerëve në SHBA është krenari për Kosovën dhe dëshmi e profesionalizmit të FSK-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përgëzuar diplomimin e suksesshëm të kadetëve dhe oficerëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në akademitë dhe kolegjet më prestigjioze ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka vlerësuar këtë arritje si një dëshmi e profesionalizmit në rritje të ushtrisë së Kosovës dhe një hap të rëndësishëm drejt integrimit euroatlantik.
“Krenari për Kosovën! 🇽🇰🇺🇸 Kadetët Arlind Shefiku dhe Enderon Vuthaj, si dhe major Gëzim Osmani e nënkolonel Gëzim Sada, kanë diplomuar me sukses në akademitë dhe kolegjet më prestigjioze ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Suksesi i tyre është arritje për Forcën e Sigurisë së Kosovës, për Republikën tonë dhe një dëshmi e qartë e profesionalizmit në rritje të ushtarakëve tanë, gjë që e bënë edhe më të sigurt rrugën tonë drejt integrimit të plotë euroatlantik,” ka shkruar Osmani.
Presidentja ka shprehur gjithashtu mirënjohje për partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Mirënjohje të përhershme për SHBA-në – aleatin tonë të pazëvendësueshëm, për shkollimin e vazhdueshëm të kuadrove tona”, ka shkruar ajo.