
Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të ofruar leje të përkohshme qëndrimi dhe njohjen e dokumenteve identifikimi për pjesëtarët e komunitetit serb që nuk kanë dokumente kosovare, ndërsa Ligji për të huajt dhe ai për automjetet do të fillojnë të zbatohen plotësisht nga e diela.
Në reagimin e saj, OVL e UÇK-së vlerëson se është “skandal i rëndë politik dhe moral” fakti që, sipas tyre, Kurti publikisht deklaron se strukturat paralele të Serbisë janë shuar, ndërsa në praktikë po krijohen mekanizma që, sipas organizatës, u japin atyre rol në zbatimin e ligjeve të Republikës së Kosovës.
“Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës reagon ndaj hipokrizisë politike të kryeministrit Albin Kurti, i cili për vite me radhë ka ndërtuar karrierën mbi retorikë patriotike, ndërsa sot po konfirmohet se në prapaskenë ka negociuar hapësira të reja për strukturat ilegale të Serbisë brenda shtetit të Kosovës. Është skandal i rëndë politik dhe moral që Kurti deklaron se strukturat paralele të Serbisë janë shuar, ndërkohë që në realitet po krijon mekanizma që u japin atyre rol në zbatimin e ligjeve të Republikës së Kosovës. Kjo nuk është politikë shtetformuese, por mashtrim i pastër ndaj qytetarëve dhe shtetit tonë”, thuhet në reagim.
OVL-UÇK ka theksuar gjithashtu se Qeveria Kurti po i bën kompromiset për të cilat më herët i ka akuzuar të tjerët.
“Qeveria Kurti po e rikonfirmon vazhdimisht se e gjithë retorika e saj për ‘sovranitet’ dhe ‘mbrojtje të shtetit’ ka qenë vetëm propagandë për konsum politik. Në praktikë, kjo qeveri e ka izoluar Kosovën nga aleatët kryesorë dhe po përfundon duke bërë pikërisht kompromiset për të cilat për vite të tëra i ka akuzuar të tjerët për tradhti kombëtare. Sakrifica e dëshmorëve dhe lufta e UÇK-së nuk mund të relativizohen me vendime të tilla”, thuhet më tej në reagim.
Veteranët kanë paralajmëruar se nuk do të heshtin përballë veprimeve që, sipas tyre, cenojnë sakrificën e luftës çlirimtare.
“Ne nuk do të heshtim përballë politikave të Qeverisë Kurti që relativizojnë sakrificën e luftës dhe që hapin derën për ndikimin e Serbisë brenda institucioneve të Kosovës. Shteti i Kosovës nuk është pronë e asnjë qeverie dhe nuk do të lejojmë që ai të përdoret si instrument propagande për pushtet. Kosova është ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve të UÇK-së dhe jo mbi pazare politike në prapaskenë. Çdo përpjekje për ta cenuar këtë sakrificë do të përballet me reagimin e veteranëve dhe të gjithë atyre që e konsiderojnë këtë shtet si amanet të luftës çlirimtare”, thuhet në reagim.



