Pa miratimin e partisë, Xhafer Tahiri lidh koalicion me LVV-në në Vushtrri

Pa miratimin e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, kandidati i kësaj partie për kryetar të Vushtrrisë ka nënshkruar sot marrëveshje koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Firmat e nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit mes Xhafer Tahirit të LDK-së dhe Sylejman Mehollit të LVV-së, janë hedhur sot në një ceremoni në qendër të Vushtrrisë.

Prezent në ceremoni ka qenë edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Paparaci ka mësuar se Tahiri, i cili doli i treti në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Vushtrri, ka vendosur “krye në vete” për marrëveshjen e koalicionit me LVV-në.

Ai, nuk e ka miratimin e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës për koalicionin e nënshkruar sot, tregon një komunikim nga Sekretariati i LDK-së, dërguar kryetarëve të Degëve.

“Ju rikujtojmë se Kryesia Qendrore e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion para çertifikimit të rezultateve zgjedhore. Çdo veprim individual do të trajtohet në organet më të larta partiake, sipas Statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thuhet në këtë porosi të cilën Gentiana Azemi, zyrtare për komunikim në LDK, ua ka dërguar kryetarëve të Degëve të hënën.

“Kërkesat për koalicione shtrohet nga Degët tek Kryesia pas çertifikimit të rezultateve dhe trajtohen me kohë”, thuhet në këtë komunikim, raporton Paparaci.

Informatat për nënshkrimin e koalicionit mes LVV-së dhe LDK-së në Vushtrri, kanë qarkulluar që nga mëngjesi i së hënës.

Zyrtari i Vetëvendosjes në Vushtrri, Naim Bunjaku, në një postim në rrjetet sociale të hënën në mëngjes paralajmëroi nënshkrimin e marrëveshjes hjatë ditës.

“Sot nënshkruhet marrëveshja e koalicionit me LDK në prani të kryeministrit Albin Kurti”, shkroi ai, në një postim në Facebook. “Ejani të jeni prezent dhe dëshmitarë të kësaj ngjarje që na e siguron fitoren në Vushtrri”.

Në balotazh, Vetëvendosje që mori rreth 30% të votave në raundin e parë do të përballet me Ferit Idrizin, kryetarin aktual e kandidatin e PDK-së edhe për një mandat të ri, i cili siguroi rreth 45% të votave, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së.

Xhafer Tahiri doli i treti, tregojnë rezultatet preliminare, me 19% të votave në raundin e parë. 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button