Pacienti detyrohet të paguajë 64 euro për penj, QKUK-ja pranon mungesën

Disa klinika kirurgjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës aktualisht po përballen me mungesë të penjve kirurgjik të llojit “Prolene”.
Gjatë të mërkurës, gazetarja e Klan Kosovës, Arbreshë Uka e ka takuar një përcjellës të pacientit që i nënshtrohej një operacioni në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, ku paraprakisht familjarët i kanë siguruar penjtë, material ky bazik.
Pacientit në fjalë 4 palë penj kirurgjik “Prolene” i kanë kushtuar 64 euro.

Klan Kosova ka dërguar pyetje në Shërbimin Spitalor Klinik e Univeristar, ku të njëjtit e kanë pranuar se ka mungesa të tilla.
“Me penjë kirurgjik Prolene kemi disa numra mungesë por njësitë përbërëse të SHSKUK-së janë të furnizuara me llojet e tjera të penjve kirurgjik”, ka treguar kështu, Shefja e Sektorit të furnizimit me barna dhe material hargjues-medicinal në QKUK, Dardane Mehaj.
Krahas kësaj, po i njëjti pacient, pos penjeve u detyrua ta blejë edhe një ampulë bazike që aplikohet gjatë dhënies së anestezionit dhe që është pjesë e listës esenciale. Bëhet fjalë për amp. Efedrin, ku pacientit kjo i ka kushtuar diku 4 euro në barnatore private, njofton Klan Kosova.
“Për produktin Efedrin ampula, është lidhur kontrata e re dhe janë lëshuar porositë për furnizim. Jemi në pritje të liferimit nga Operatori Ekonomik”, ka bërë me dije, shefja e sektorit të furnizimit me barna dhe material harxhues-medicinal në QKUK, Dardane Mehaj.
Gjatë muajve të fundit televizioni ka bërë një seri raportimesh mbi mungesat e vazhdueshme të barnave dhe materialeve shpenzuese të Listës Esenciale në QKUK/ShSKUK.



