Pacolli: Asnjëherë nuk kam qenë në zyrën e noteres Selimi

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar përmes një deklarate publike lidhur me situatën e krijuar rreth kompanisë VIA dhe pretendimeve të dala në media për transferimin e aksioneve të saj.

Në një postim në Facebook, Pacolli ka hedhur poshtë çdo pretendim se ai, apo ndonjë person i autorizuar nga kompania MABCO Construction SA,  pronare e 98% të aksioneve që rrjedhin nga investimi në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës ka qenë ndonjëherë në zyrën e noteres Valbona Selimi në Tiranë apo ka nënshkruar dokumente në praninë e saj.

“As unë dhe as ndonjë person i autorizuar nga MABCO Construction SA nuk kemi qenë në zyrën e saj, nuk e kemi takuar noteren Selimi, nuk kemi pasur komunikim me të apo me përfaqësuesit e saj dhe nuk kemi nënshkruar asnjë dokument në praninë e saj,”, ka shkruar Pacolli në reagimin e tij.

Ai thekson se pretendimet e noteres Selimi, sipas të cilave ai ka qenë fizikisht i pranishëm në zyrën e saj gjatë nënshkrimit të një akti të transferimit të aksioneve, janë “plotësisht të rreme”.

“Unë nuk e njoh noteren Selimi, asnjëherë nuk kam nënshkruar ndonjë akt në prezencën e saj dhe nuk kam dijeni për ekzistencën e një përkthyeseje të tillë apo për ndonjë dokument që më është lexuar apo paraqitur për nënshkrim nga ajo”, u shpreh ai.

Pacolli e cilëson këtë akt noterial të vitit 2023 si një element themelor të një veprimtarie të dyshuar të kundërligjshme, që sipas tij është ndërmarrë nga Valon Lluka dhe bashkëpunëtorë.

Sipas Pacollit, përmes këtij dokumenti, është tentuar të realizohet transferimi i 47% të aksioneve në muajin prill të këtij viti, një veprim që ai thotë se është mbajtur i fshehur për katër muaj – deri më 18 gusht 2025, kur është zbuluar rastësisht në dokumentacionin e ish-administratorit të shoqërisë VIA.

“Ky akt i kryer në mënyrë të fshehtë përbën burimin dhe shkakun fillestar të kësaj situate me të cilën po përballemi sot”, përfundon deklarata e Pacollit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button