
Mijëra qytetarë protestuan sot në sheshet e Prishtinës duke kërkuar “Drejtësi kundër padrejtësive në Hagë”.
Grupe të mëdha qytetarësh u mblodhën nga të gjitha trojet shqiptare për t’i dhënë mbështetje ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që tash e pesë vjet po mbahen të paraburgosur në Hagë.
Pjesë e protestës ishin krerët e OVL të UÇK-së, Hysni Gucati me bashkëpunëtorë, sikurse edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ai i AAK-së, Ramush Haradinaj e kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, teksa në protestë nuk u panë figura nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje dhe as nga LDK-ja, ndonëse kjo e fundit e kishte mbështetur protestën përmes nënkryetarit Lutfi Haziri.
Në protestë, megjithatë, u panë edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ai i Rahovecit, Smajl Latifi, si dhe nënkryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku.
Pjesëmarrëse ishte edhe gruaja e ish-kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi, e cila tha se ishte e emocionuar dhe se në emër të popullit të Kosovës, sipas saj, duhet të ketë gjykim lirues për çlirimtarët.
Pasi ora kaloi 17:00, zyrtarisht edhe nisi protesta, ku masës iu drejtua kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili shprehu indinjatën e tij me Gjykatën Speciale.
Gucati tha se është pikërisht Specialja ajo që po e deformon historinë e Kosovës dhe se sipas tij, po rrezikohet liria dhe e vërteta e luftës çlirimtare.
“Sot veteranët e UÇK-së i keni bërë shumë krenar që jeni bashkuar këtu, në këtë numër kaq të madh kundër padrejtësisë së Gjykatës Speciale. Kjo Gjykatë ne e dimë se është një Gjykatë e njëanshme, kundër anti-UÇK, një Gjykatë anti-shtetit të Kosovës”.
“Gjykata Speciale po deformon historinë tonë, nën petkun e drejtësisë së cilën e ka përdhosur kjo Gjykatë, po bën padrejtësi ndaj atyre që u ngritën për liri, dinjitet dhe ekzistencë njerëzore. Luftëtarët e UÇK-së ishin përgjigja legjitime e popullit tonë, të shtypur kundër një regjimi kriminal, siç ishte Serbia në krye me Millosheviqin”, tha ai.
Në skenë për t’iu drejtuar masës u ngjit edhe ish-hetuesja e Gjykatës së Hagës në gjykimin kundër Millosheviqit, Nevenka Tromp, e cila tha se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, dhe se sipas saj, që drejtësia të pranohet, ajo duhet të ketë legjitimitet.
Tromp tha se ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë besonin se lufta që ata e bënë dhe e fituan, ishte një luftë e drejtë, një luftë mbrojtëse.
Ndërsa, për një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ali Ahmetin, Serbia po përpiqet vazhdimisht që përmes Gjykatës Speciale në Hagë ta përmbys çdo të arritur në Kosovë.
“Gjatë luftërave, e pas tyre, e deri më sot, e si duket, për fat të keq, asnjëherë Serbia dhe zyrtarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë pajtuar me të drejtat e shqiptarëve. Prandaj, Serbia, me përkrahësit e saj, ka bërë dhe po bën gjithçka për zhbërjen e Pavarësisë së Kosovës. Përmes Gjykatës Speciale të Hagës, ajo po përpiqet të përmbysë çdo të arritur në Kosovë”, tha Ahmeti.
Pas fjalës së Ahmetit, protesta u shpall e mbyllur, ku protestuesit u larguan në mënyrë të qetë e me thirrje pro-UÇK.
Kjo është protesta e dytë që organizohet prej që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen në Hagë.