
Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar për erë të fortë për të dielën krahas thirrjes për qytetarët që të kenë kujdes të shtuar.
Bazuar në paralajmërimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, nga mëngjesi i ditës së diel, 25 janar 2026, pritet të ketë erëra të intensitetit mesatar deri të fortë, të cilat do të jenë më të theksuara në zonat lindore dhe ato kodrinoro-malore”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca të kryeqytetit.
Në këtë njoftim, qytetarët u udhëzuan që të sigurojnë objektet e lehta në ballkone, çati apo oborre dhe që të kenë kujdes kur lëvizin në zona me pemë të larta, tabela reklamuese apo objekte ndërtimore.
Njoftimi i Drejtorisë: Shpejtësia e erës
- Zona kodrinoro-malore: 11–14 m/s (erë e fortë)
- Zona më të ulëta: 8–11 m/s (erë mesatarisht e fortë)
Sipas parashikimeve, erërat pritet të dobësohen nga mëngjesi i së hënës, 26 janar 2026.
Udhëzime dhe këshilla për qytetarët. Pa krijuar panik, ftojmë qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar dhe përgatitje të thjeshtë, veçanërisht gjatë ditës së diel:
- Siguroni ose largoni objektet e lehta në ballkone, oborre apo çati (vazo, reklama, panele të përkohshme).
- Tregoni kujdes gjatë qarkullimit në zona me pemë të larta, tabela reklamuese apo objekte ndërtimore.
- Shmangni qëndrimin e panevojshëm në hapësira të hapura gjatë intervaleve me erë më të fortë.
- Drejtuesit e automjeteve, veçanërisht të mjeteve të larta, të lëvizin me kujdes të shtuar.
- Nëse vëreni rrezik potencial (degë të rëna, objekte të lëvizshme, dëmtime), njoftoni shërbimet kompetente.
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Kryeqytetit do të jetë në gatishmëri të vazhdueshme dhe do të informojë qytetarët nëse ka zhvillime të reja.
Qëndroni të informuar, tregoni kujdes dhe bashkëpunim.



