Pas një defekti me energji elektrike digjet një shtëpi në Shtime

Një incident zjarri ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Godanc i Poshtëm të Shtimes, ku një shtëpi është përfshirë nga flakët, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:40, në rrugën Kozhinca, ndërsa sipas informacioneve të siguruara, zjarri ka kapluar katin e parë të shtëpisë në pronësi të Sh.K.

Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se ankuesi ka deklaruar se dyshon që shkak i zjarrit të ketë qenë energjia elektrike, për shkak të problemeve të vazhdueshme me rrymën ditët e fundit.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të Stacionit Policor Shtime, zjarrfikësit, si dhe një ekip nga KEDS-i, të cilët kanë intervenuar për lokalizimin e flakëve.

Zjarri është vënë nën kontroll, por nga inspektimi fillestar është konstatuar se janë djegur orendi shtëpiake, pajisje elektronike, si dhe dyer e dritare.

Sipas deklarimit të pronarit, dëmi material i shkaktuar llogaritet të jetë në vlerë prej rreth 15 mijë deri në 20 mijë euro.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si “Incident zjarri”, ndërsa pritet që në vendin e ngjarjes të dalin edhe ekspertët e zjarrit për të përcaktuar shkaqet e sakta të shpërthimit të flakëve.

Fatmirësisht, nga ky incident nuk raportohet për të lënduar në njerëz, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në zhvillim.

info@tandempress.net

Artikuj të ngjashëm

Back to top button