Pas përfundimit të festivalit të jazit në veri, arrestohen dy persona, Elshani: Situata është e qetë

Në sheshin “Car Llazar” në Mitrovicë të Veriut, pasditen e sotme është mbajtur një aktivitet kulturor në kuadër të Festivalit të Jazz-it.
Aktiviteti ka nisur rreth orës 16:00 dhe është zhvilluar pa probleme deri në përfundimin e performancës, rreth orës 18:00.
Megjithatë, gjatë kohës kur organizatorët kishin nisur të mblidhnin pajisjet muzikore, ka ardhur deri te një incident që përfshinte prishjen e rendit dhe qetësisë publike.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar për Sinjalin se dy persona janë ndaluar si të dyshuar për përfshirje në incident.
“Dy persona janë ndaluar si të dyshimtë, ndërsa pas intervistimeve dhe konsultimit me prokuror do të vendoset se si të lëvizim tutje.”, ka deklaruar Elshani.
Ai ka shtuar se aktualisht situata në Mitrovicën e Veriut është e qetë.