Përparim Rama anulon ekspozitën ku u paraqitën të dhëna skandaloze për masakrën në Dubravë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka marrë vendim që të anulojë ekspozitën në sheshin e kryeqytetit ku paraqiteshin 49 masakrat e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Ky vendim i kryetarit Rama vjen pasi në njërën prej 49 tabelave ishin paraqitur gabime lidhur me numrin e viktimave.

“Jo në Kryeqytet. Nuk lejojmë që në sheshin e Kryeqytetit tonë të përdhoset dinjiteti i qytetarëve dhe të fyhet kujtesa kolektive e popullit tonë. Ekspozita paraqet një version të pasaktë të Masakrës së Dubravës. Kjo është e papranueshme dhe përbën fyerje të drejtpërdrejtë ndaj viktimave dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Për këtë arsye, sonte menjëherë e pezullojme lejen për këtë ekspozim në sheshin e Prishtinë”, thuhet në reagimin e kryetarit Rama.

Gjithashtu Rama ka kërkuar nga Kuvendit që të marrë përgjegjësi për financimin e këtij projekti të cilin e ka cilësuar skandaloz.

“Njëkohësisht, kërkojmë përgjegjësi politike dhe institucionale nga Kuvendi i Kosovës për miratimin dhe financimin e një përmbajtjeje të tillë skandaloze!”, ka thënë Rama.

Në tabelën lidhur ma masakrën në Burgun e Dubravës ishin paraqitur gabimisht numri i viktimave të vrara. Përpos kësaj në ekspozitë thuhej se 48 prej të vrarëve ishin të armatosur.

Lidhur me vendosjen e këtyre tablave kanë reaguar të mbijetuarit e kësaj masakre.

Ata kanë kërkuar reagim të menëhershëm nga institucionet.

“Të dhënat e paraqitura për këtë masakër janë krejtësisht të pasakta. Përveç numrit të viktimave, i cili nuk korrespondon me të vërtetën (ku figurojnë 106 të vrarë, ndërsa deri më tani janë të konfirmuar 116 të masakruar dhe 1 i zhdukur) aty paraqitet edhe një pasaktësi tjetër e madhe dhe e dëmshme. Nuk e di nëse kjo është bërë me qëllim apo jo, por pretendimi se 48 prej të vrarëve kanë qenë persona të armatosur shqiptarë, ndërsa 58 civilë, është plotësisht i pavërtetë. Në atë masakër gjenocidale nuk ka pasur asnjë shqiptar të vrarë në cilësinë e personit të armatosur. Të gjithë kemi qenë duarthatë dhe të pambrojtur”, ka thënë një i mbijetuar.

Artikuj të tjerë

Back to top button