
Pesë burra që ishin pjesë e një grupi abuzuesish që përdhunuan dhe sulmuan seksualisht vajza të mitura që i takonin në një park, janë dënuar me burg në kohëzgjatje që variojnë nga 18 muaj deri në 14 vjet.
Gjykata e Kurorës në Newcastle dëgjoi se katër rumunë dhe një shqiptar kishin shënjestruar vajza të cenueshme në Parkun Saltwell në Gateshead, gjatë viteve 2015 deri në 2019.
Njëra nga gjashtë viktimat ishte një vajzë 14-vjeçare, e cila ishte bërë e varur nga kokaina që ia jepnin burrat dhe më pas kalohej për seks, kanë thënë prokurorët.
Një deklaratë ndikimi, e lexuar në gjykatë në emër të një prej viktimave, tregoi se ajo ishte “e tmerruar nga të gjithë burrat”, raporton BBC.
E identifikuar si Vajza B për të mbrojtur anonimitetin e saj, ajo tha: “Nuk e di nëse ndonjëherë do të mund të jetoj një jetë normale. Jam gjithmonë nën ankth, sidomos kur jam vetëm”.
Ajo shtoi se ndihej e mbingarkuar dhe shpesh qante.
Gjyqtari Tim Gittins vlerësoi vajzat që kishin përjetuar abuzimin.
“Shpresoj që ato të mendojnë për veten – ashtu siç mendoj unë – si të mbijetuara, jo si viktima”, tha ai.
Grupi i burrave ishte shpallur fajtor për veprat në një gjykim të mbajtur në tetor.
Codrin Dura, 27 vjeç, u dënua me 13 vjet burg për dy akuza për përdhunim, tre akuza për aktivitet seksual me të mitur, tentim-përdhunim, shantazh dhe sulm seksual, të gjitha në lidhje me një vajzë të identifikuar si Vajza A.
Dura u shpall fajtor edhe për dy akuza për përdhunimin e një vajze të dytë, Vajza B, si dhe u dënua për organizimin e kryerjes së një vepre seksuale ndaj fëmijëve dhe furnizim me drogë të klasit A.
Leanoard Paun, 24 vjeç, u dënua me pesë vjet e një muaj burg për aktivitet seksual me të mitur dhe një akuzë për përdhunim në lidhje me Vajzën B, dy akuza për organizimin e kryerjes së një vepre seksuale ndaj fëmijëve, shpërndarje të imazheve të pahijshme të fëmijëve dhe furnizim me drogë të klasit A.
Gjykata u njoftua se veprat ishin kryer kur Paun ishte 15 deri në 17 vjeç, dhe gjyqtari Gittins tha se ai kishte tentuar të “poshtëronte” viktimat dhe kishte përdorur alkool e drogë për t’i joshur.
Bogdan Gugiuman, 44 vjeç, u dënua me 14 vjet burg për tre akuza për përdhunim ndaj Vajzës B dhe për furnizim me drogë të klasit A.
Gjyqtari tha se ai nuk kishte shfaqur “asnjë shenjë pendese” për atë që i kishte bërë vajzës, e cila ishte 14 vjeçe në atë kohë.
Shtetasi shqiptar Klaudio Aleksiu, 28 vjeç, u dënua me gjashtë vjet burg për një akuzë për përdhunimin e Vajzës B dhe furnizim me drogë të klasit A. Ai ishte 21 dhe 22 vjeç në kohën e kryerjes së veprave.
Stefan Ciuraru, 23 vjeç, u dënua me 18 muaj burg për katër akuza për sulm seksual ndaj vajzave B, C dhe D, aktivitet seksual me të mitur, Vajza E, dhe nxitje të një të miture, Vajza F, për të kryer aktivitet seksual.
Gjyqtari tha se Ciuraru, i cili në atë kohë ishte 15 deri në 16 vjeç, “i kishte shënjestruar viktimat në mënyrë të pamëshirshme” dhe mendonte se ishte “i autorizuar” të sillej në atë mënyrë.
Ai shtoi se kombësia e të pandehurve ishte “e parëndësishme për procesin e dënimit” dhe se mosha e shumicës së tyre në kohën e kryerjes së veprave “kufizonte ndjeshëm” dënimet që mund t’u shqiptonte.



