Polici Kenan Idrizaj nga Prizreni rrezikon burgun për dhunë dhe kërcënim, detaje nga dosja e Prokurorit

Zyrtari policor nga Prizreni Kenan Idrizaj i arrestuar dhe i suspenduar me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës, nën dyshimin se ka kryer vepër penale, rrezikon të përfundojë në paraburgim. Ky institucion fillimisht tha se polici dyshohet për dhunë në familje, por vepra është cilësuar ndryshe nga Prokurori i Shtetit.
Seanca dëgjimore pritet të mbahet së shpejti, ndërsa nga Prokuroria Themelore në Prizren, e kanë konfirmuar për Klankosova.tv se tashmë është ushtruar kërkesa për masën e sigurisë.
Megjithatë, në përgjigjen e Prokurorisë, bëhet e ditur se në dosjen ndaj Idrizajt është kërkuar paraburgimi për dy vepra penale “Lëndim i lehtë trupor” (paragrafi 3, nënparagrafi 3.1) dhe “Kanosje” (paragrafi 4) i lidhur me nenin 77.
“Referuar kërkesës tuaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren brenda afatit ligjor, ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Prizren, për të pandehurin K.I., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185 par.3 nënpar. 3.1 lidhur me par.1 dhe “Kanosja” nga neni 181 par.4 lidhur me nenin 77 par.1 dhe 2, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në përgjigje.
Çka parasheh Kodi Penal i Republikës së Kosovës për këto vepra penale?
Te neni 185, që është “Lëndim i lehtë trupor”, në paragrafin e tretë përfshihet kur vepra penale “kryhet ndaj viktimës së ndjeshme, ose është e motivuar sipas kombësisë, gjuhës, besimit fetar ose mungesës së besimit fetar, ngjyrës së lëkurës, gjinisë, identitetit gjinor, orientimit seksual, ose për shkak të afërsisë me persona me njërën nga këto karakteristika të mbrojtura”.
Bazuar në pikën 3.1, kryesi në këtë rast dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në tre vjet.
Polici Idrizaj do të hetohet edhe për veprën “Kanosja”, që sipas Prokurorit të Shtetit, ekziston dyshimi i bazuar se e ka kryer “ndaj viktimës së ndjeshme ose me përdorim të armës, mjetit të rrezikshëm ose ndonjë sendi tjetër me të cilin mund të shkaktohet lëndimi trupor ose dëmtimi i rëndë për shëndetin” (paragrafi 4).
Për këtë veprën penale ai mund të dënohet me burgim prej një deri në pesë vjet.
Bazuar në konfirmimin e Prokurorisë Themelore në Prizren, këto dy vepra, i dyshuari i ka kryer në vazhdim, ndaj të njëjtit person.
Sipas nenin 77, paragrafi 1 dhe 2, “Vepra penale në vazhdim përbëhet nga disa vepra të njëjta ose të ngjashme të kryera në lidhshmëri kohore nga i njëjti kryes…” dhe “Veprat penale të kryera kundër personit mund të konsiderohen si vepër penale në vazhdim vetëm nëse janë kryer kundër të njëjtit person.”
Klankosova.tv do të iu mbajë të informuar lidhur me vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake për masën e paraburgimit ndaj policit të dyshuar.
Vërejtje: Personi i përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohet i pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.