Policia: Siguria për ndeshjen sipas standardeve të UEFA-s

Kapiteni Bajram Shabani, shef i sektorit për planifikim permanent dhe koordinim operacional në Policinë e Kosovës, ka deklaruar se organizimi i sigurisë të martën po realizohet në përputhje të plotë me protokollet e UEFA-s.

Sipas tij, UEFA delegon zyrtarët e saj të sigurisë për ndeshje të tilla, ndërsa protokollet përkatëse tashmë po implementohen nga Policia e Kosovës, e cila është e certifikuar për këtë detyrë.

“UEFA në rastin konkret i delegon përfaqësuesit, zyrtarët e vet që i ka për siguri, të cilët e kanë protokollin e UEFA-s për siguri, ai protokoll implementohet tani edhe nga Policia e Kosovës ngase siç ju thashë edhe më parë, ne jemi të certifikuar për atë detyrë. Policia e Kosovës FFK-ja kanë intensifikuar kontaktet, bashkëpunimin me UEFA-n, pastaj jemi familjarizuar me rregulloret e UEFA-s që janë për siguri dhe për ne si Polici tani kjo është jashtëzakonisht lehtësim i madh ngase në këtë drejtim jemi jashtëzakonisht profesional”, ka thënë ai në emisionin “tre8tre” në KTV.

Shabani ka theksuar se institucionet vendore kanë fituar përvojë të konsiderueshme në organizimin e ngjarjeve të tilla, duke përmendur edhe ndeshjen historike të vitit 2014 në stadiumin “Adem Jashari” mes Kosovës dhe Haitit si një pikënisje të rëndësishme.

Për shtimin e numrit të zyrtarëve policorë, Shabani ka thënë se PK-ja ka planifikuar një numër të mjaftueshëm dhe do të shtojë prezencën në terren, me qëllim që tifozët ta shijojnë atmosferën festive pa probleme.

“Policia e Kosovës ka planifikuar numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë. Do të shtojë numër, veprime që janë ndërmarrë në mënyrë që kjo ndeshje të kalojë pa ndonjë incident, që tifozëritë ta shijojnë atmosferën festive”, ka thënë ai.

Shabani ka bërë të ditur se qytetarët janë njoftuar që do të ketë bllokime të përkohshme të disa segmenteve rrugore për shkak të masave të sigurisë dhe organizimit të operacionit.

Artikuj të tjerë

Back to top button