BallinaLajme

Pranimi i 45 kadetëve në FSK nis më 2 qershor

Forca e Sigurisë së Kosovës do të hapë konkursin për pranimin e kadetëve të rinj nga data 2 deri më 16 qershor. Përmes këtij procesi, 45 të rinj do të kenë mundësinë t’i bashkohen Akademive Ushtarake në Kosovë, Shqipëri, Turqi, Kroaci dhe Maqedoninë e Veriut.

Forca e tyre nuk qëndron vetëm në armët që mbajnë, por edhe në atë se kujt i shërbejnë. Ajo bëhet më e fuqishme kur kujton rrënjët e kësaj Force.

Sikurse këta ushtarë dhe të rinj të tjerë e kanë mundësinë ta tregojnë dashurinë për atdhe, duke u bërë pjesë e Forcës së Republikës.

Këtë ata mund ta bëjnë nga 2 qershori, kur edhe zyrtarisht hapet konkursi. Pranimi i kadetëve, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, do të bëhet në Akademinë Ushtarake “Qendra për Studime Universitare e FSK-së”, Akademinë Ushtarake Tokësore dhe Mjekësore në Turqi, të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, atë Kroacisë dhe të së Maqedonisë së Veriut.

Në këto Akademi do të pranohen 45 kandidatë, të cilët përveç se duhet të jenë shtetas të Kosovës, plotësimi i disa kritereve tjera është i domosdoshëm.

“Duhet të mund të kalojnë testin e pastërtisë së figurës, pra të mos kenë ndonjë aktvendim të formës së prerë të kryerjes së një vepre penale dhe gjithashtu një kriter tjetër që duhet të respektohet është që të mos kenë tatuazhe dhe ‘pirsing’ në pjesën e dukshme të parakrahut nga bicepsi deri tek gishtërinjtë e dorës. Ky është kriter i cili hyn në fuqi në momentin e fillimit të shkollimit”, ka thënë Liridona Gashi, zëdhënëse në Ministrinë e Mbrojtjes.

Tranzicioni 10-vjeçar i FSK-së parasheh edhe rritje të numrit të ushtarëve. Për çka, sipas njohësit të çështjeve të sigurisë, kjo ndihmon edhe në aftësimin profesional të ushtrisë së Kosovës.

“Konsolidimi i radhëve të FSK-së nënkupton edhe përtrirje me kuadër të reja, me njerëz të rinj, me pjesëtarë entuziastë, me motive të shtuara patriotike për mbrojtjen e Kosovës, duke ditur faktin se jemi në vazhdimësi të kërcënuar nga fqinji ynë kryesor”, ka thënë Fatmir Çollaku, njohës i çështjeve të sigurisë.

Njohësi tjetër i fushës së sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se të rinjtë kanë interesim që të bëhen pjesë e FSK-së, por që nevojitet një promovim më i madh i institucioneve në raste të tilla.

“Duhet të bëhet një përgatitje e duhur, një propagim, një ofrim me lajmërime dhe takime në nivele të ndryshme, me qëllim që kandidatët për pozita në FSK të jenë të njohur në mënyrën më dubioze edhe për fazat e testimeve dhe provimeve, edhe në atë kohën që është në fazën preliminare, por edhe për zhvillimin e karrierës në FSK”, ka thënë ai.

Konkursi për pranimin e kadetëve të rinj do të jetë i hapur për aplikim nga data 2 deri më 16 qershor./rtk

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button