Prej emrit konsensual për president, e deri te opsioni i zgjedhjeve: Çka thanë Haziri e Gjini nga opozita?

Çështja e presidentit tashmë ka hyrë në fazën finale.
Ditët po numërohen, e nëse nuk ka kandidat, atëherë vendi do të shkojë sërish në zgjedhje të reja.
Për këtë temë, kanë folur dy zyrtarë të lartë nga opozita, Lutfi Haziri nga LDK-ja dhe Ardian Gjini nga PDK-ja.
“Çka ka ndodh dje në takim. Në takim dje ka ndodh që ka një angazhim të përbashkët të tre liderëve kryesor të partive politike që të angazhohen për një emër, i cili ndërtohet përmes një konsensusi të gjerë Nëse kjo dështon, një marrëveshje politike e partisë së parë me një parti tjetër, e cila e siguron, e dëgjuat edhe kryetarin e VV-së e thotë se duhet me pas siguri, se kur hyjmë në Kuvend me zgjedh. Që mos me i rreziku zgjedhjet. Kjo është dëshmi që po insiston mos me rreziku procesi me shku në zgjedhje”, ka thënë Haziri.
“Nëse i kërkohet vendit që qytetarët prapë me vendosë edhe për President, ne jemi të gatshëm edhe për zgjedhje”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka thënë se janë të interesuar si parti për t’i dhënë vendit president.
“Çështja e presidentit është prioritet për LDK’në dhe jemi të interesuar me i dhanë vendit president. Unë besoj shumë që LDK do të ketë rol, atëherë ne kemi me u sjell me racionalitet politik deri në fund”, ka thënë Haziri në RTV Dukagjini.
Në takimin e djeshëm mes Kurtit dhe Abdixhikut, Haziri tha se nuk janë përmendur emra për këtë pozitë.
“Nuk është fol për emra, asnjë emër s’është fol mes liderëve politikë”, shtoi ai.
Kurse, sipas Ardian Gjinit, takimet me Kurtin nga liderët e PDK-së dhe LDK-së, kanë qenë si shpërndarje e fatit për atë se çka mund të ndodhë.
“Te çështja e Presidentit situata është goxha interesante. Mund të them që ka shumë cinizëm. Është seriozisht cinike me i fitu 51 për qind të votave, me shku në Parlament dhe me thënë ‘unë s’kam kandidat për President – gjejeni kandidatin nëse doni ju’”. – tha ai,
Sipas tij, takimet e Kurtit me PDK dhe LDK nuk po zhvillohen me qëllim të gjetjes së një kompromisi real, por më shumë si manovra politike për ta ngarkuar opozitën me përgjegjësi në rast të dështimit.
“Prapë, në mënyrën më cinike, po provohet ose me u shantazhu opozita që ‘keni me bë çfarë t’ju them unë’, ose me provu edhe njëherë me arritë në situatën që nëse shkojmë në zgjedhje, me u projektu faji te tjerët. Pra, [Albin Kurti] mos me marrë fajin. I kam dilemat e mia për një marrëveshje potenciale dhe përgatitje për t’ua lënë fajin tjerëve.” – deklaroi i pari i Gjakovës.
Gjini foli më tej për atë që ai e quajti “çarje” mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes aktuale Vjosa Osmani, duke thënë se rikandidatura e saj është skenar i vdekur politikisht.
“Gjasat janë minimale që zoti Kurti ka me kandidu Vjosa Osmanin edhe njëherë për Presidente. Tash po thuaj se këto gjasa nuk ekzistojnë. Çarja ka ndodh për shkak se çdokush ndihet i fyer në këto rrethana”, tha ai.
“Nëse Albin Kurti del në konferencë për shtyp dhe thotë se ne nuk kemi kandidat për President, normalisht që Vjosa Osmani ndihet e fyer deri diku për shkak se nisjen e kanë pasur bashkë dhe shumicën e parë e kanë kriju bashkë.” – tha ai.
“Ne si aleancë e kemi ofruar vetën në këtë proces, kryetari Haradinaj e ka ofru vetën si President, pavarësisht rrethanave, i ka ofru opozitës edhe ndonjë kandidaturë tjetër. Ajo që ka thënë Ramushi është kështu: Unë dal kandidat, por nëse ju e keni një kandidat tjetër, i keni votat e Aleancës, i keni nënshkrimet e aleancës. Po e nxjerrim një kandidat të opozitës. Po duket që është zor me ndodh edhe kjo punë.”, tha ai më tutje.



