“Prej Xhafës pritet gjithçka”, Kajtazi: Marrëveshja me VV-në e dëmton LDK-në në prag të balotazhit

Gazetari Vehbi Kajtazi ka reaguar pas marrëveshjes së arritur mes kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri, Xhafer Tahiri dhe Lëvizjes Vetëvendosje për balotazhin e 9 nëntorit.

Kajtazi ka thënë se një veprim i tillë nga Tahiri nuk e ka befasuar, duke e cilësuar atë si “politikan lokal që njihet për kësi kërcime e kapërcime”.

“Prej Xhafës pritet gjithçka. Është një poltiikan lokal që njihet për kësi kërcime e kapërcime. Ai ka qenë i rreshtum disa herë në kundërshtim me partinë. Ai e ka mbështet Vjosa Osmanin kur vetë ishte në LDK në 2019. Gjatë kësaj fushate ka pasë raste kur e ka përdor fotografinë e Vjosa Osmanit”, tha Kajtazi në Rubikon.

Kajtazi kritikoi ashpër edhe përfshirjen e Tahirit në mbrojtjen ligjore të Faruk Mujkës të Vetëvendosjes, duke e quajtur të papranueshme për një politikan të LDK-së.

“Prandaj prej tij nuk befasohem, ai në mëngjes shkon e mbron një politikan. Kur je poltiikan duhet me i pas parasysh disa gjëra. Në rregull je avokat por nuk mundesh me shku në gjykatë me i mbrojt hajnitë e Faruk Mujkës së LVV-së e me u thirrë në LDK sepse edhe avokatët shumë prej tyrfe kanë etikë të veten. Jo gjithkan e mbrojnë. Ke avokat që nuk e mbrojnë dhunuesin, pedofilët, vrasësit e grave. Pra e kundërshton nuk e merr. Kur je politikan, kur je anëtar i kryesisë së LDK-së, kur je pjesë e një subjekti politik i cili ka dorëzu kallëzime penale në Prokurorinë Speciale për kabinetin qeveritar dhe njerëzit e LVV-së, atëherë nuk është etike ti me dal edhe me mbrojt ndonëse ta lejon ligji”, shtoi ai.

Sipas Kajtazit, LDK-ja duhej të reagonte menjëherë ndaj këtij veprimi.

“Sot është dashur LDK-ja me përjashtu sepse këtë ia lejon statuti. Është në kundërshtim me statutin, dhe veprimi i tij i pakoordinuar, i paautorizuar nga kryesia e nivelit qendror, bie në kundërshtim me statutin e LDK-së”, deklaroi ai.

Kajtazi theksoi se marrëveshja e arritur me Vetëvendosjen “nuk është anuluar”, pavarësisht reagimeve të disa strukturave lokale të LDK-së në Vushtrri, dhe se kjo situatë ka dëmtuar përgatitjet e partisë për balotazh.

“Marrëveshja qëndron, nuk është anulu. Pavarësisht distancimit të disave në Vushtrri, marrëveshja është ende në fuqi. Përtej kësaj, i ka shkaktu dëm LDK-së sepse në vend që të merrej me përgatitjet për balotazh, duhet me u marrë me situata të tilla. Ky është një paralajmërim për LDK-në që mund ti ndodh siç i ndodhi PDK-së. Pra ata duhet të jenë të rreptë në gjykim dhe veprim. Të marrin masa, ti përjashtojnë këta elementë të cilët janë në LDK dhe punojnë kundër LDK-së dhe të fokusohen në garë”, tha Kajtazi.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button