
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka treguar se në takimin e së premtes, me partitë politike ka diskutuar edhe zgjedhjen e presidentit.
Osmani tregoi se është diskutuar edhe opsioni i zgjedhjes së presidentit me votë të drejtpërdrejtë nga qytetarët.
Ajo shtoi se këtë metodë e ka përkrahur që nga viti 2010 dhe sipas saj, kjo do të shmangte shkuarjen në zgjedhje për parlament e Qeveri, meqë sipas saj s’ka kuptim që të shkohet në zgjedhje për këto dy institucione nëse dështon zgjedhja e presidentes në Kuvend.
“U diskutua mundësia e zgjedhjes së presidentit drejtpërdrejt nga populli, e kam përkrahur që nga viti 2010. Kam përkrahur edhe amendamentet kushtetuese. Evitohen zgjedhjet nacionale. S’ka kuptim që për shkak të dështimit të zgjedhjes së presidentes të shkohet në zgjedhje për parlament e në Qeveri, dhe atë për një parlament e qeveri që mezi do të konstituohen”, ka shtuar Osmani.
“Kishte një vullnet të madh të partive politike që të shkohet me zgjedhje drejtpërdrejt nga populli, një instrument që e kam përkrahur gjithmonë. Por kërkohet ndryshim kushtetues, është sfidues por jo e pamundur”, shtoi Osmani.



