
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar mësimdhënësit me rastin e 7 Marsi Dita e Mësuesit, duke theksuar rolin e madh që ka pasur shkolla shqipe në ruajtjen e identitetit kombëtar.
Përmes një mesazhi publik, Osmani u shpreh se 7 Marsi është festa e shpirtit të kombit shqiptar, i cili, sipas saj, ka mbijetuar falë gjuhës shqipe.
“7 Marsi është festa e shpirtit të kombit tonë, i cili mbijetoi falë gjuhës shqipe. Shkolla shqipe ishte akt qëndrese, në shtëpi, në bodrume e në kushte sakrifice”, ka deklaruar presidentja.
Ajo ka theksuar se në kohë përndjekjesh, mësuesit shqiptarë nuk u dorëzuan dhe vazhduan të ruanin gjuhën, librin dhe ëndrrën e një kombi që dëshironte të jetonte i lirë.
Sipas Osmanit, nga banka e parë e shkollës deri te universitetet vazhdon i njëjti mision: edukimi i brezave që e duan gjuhën, atdheun dhe lirinë.
Presidentja shprehu mirënjohje për të gjithë mësuesit për kontributin në edukimin e brezave dhe forcimin e themeleve të shtetit, duke i uruar ata për festën e 7 Marsit.



