Pretendimi i Kurtit, sulmin ndaj drejtorit të QKUK-së e lidh me reformat: Ato prekën interesat e ngushta të klaneve

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti i ka shkuar në vizitë ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari, vetura e të cilit të mërkurën ishte cak i një mjeti shpërthyes.
Kurti e ka lidhur me krimin e organizuar dhe ka përmendur edhe aksione me elemente terroriste, të cilat, sipas tij, nuk trembin drejtorët e institucioneve.
“Se krimi i organizuar dhe aksionet me elemente terroriste nuk i trembin drejtorët tanë e dëshmon deklarata publike e djeshme e z. Osman Hajdari, U.D. i Drejtorit të QKUK-së”, ka shkruar Kurti.
“Bashkë me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia e takuam sot atë si dhe Drejtorin e ShSKUK-së, Elvir Azizi”, ka thënë ai.
“E dënoj ashpër sulmin ndaj drejtorit Hajdari dhe i bëj thirrje organeve të rendit e të drejtësisë që sa më parë të zbardhin rastin dhe kryesit e këtij akti kriminal të sillen para përgjegjësisë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka pretenduar se reformat që ka ndërmarrë qeveria e tij kanë prekur interesat e ngushta të klaneve.
“Në çdo institucion publik kemi ndërmarrë reforma të thella që në thelb kanë mbrojtjen e interesit publik e shërbime më të mira për qytetarët. Këto reforma kanë prekur interesa të ngushta të klaneve të ndryshme të instaluara për më shumë se 20 vjet në çdo pore të institucioneve tona”, ka thënë ai.
“Por, akte të tilla jo vetëm që nuk na ndalin, por na bëjnë edhe më këmbëngulës në punët e mira që po bëjmë”, ka shtuar Kurti.