Prishtina, Juniku dhe Mamusha, ende pa rezultate finale, Radoniqi: Ka ende ankesa

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se të shtunën do të shpallen rezultatet përfundimtare të 35 nga 38 komunat e vendit, pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, ai ka theksuar se Prishtina, Juniku dhe Mamusha nuk i kanë ende të përfunduara të gjitha procedurat për të ditur rezultatet përfundimtare, si pasojë e disa ankesave që janë ende duke u shqyrtuar në PZAP, raporton Klankosova.tv.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka komunikuar me PZAP-në dhe nga ky institucion kemi marrë konfirmim se nuk ka ankesa aktive lidhur me zgjedhjet për kryetarë komunash për shumicën e komunave, përveç Komunës së Prishtinës, Junikut dhe Mamushës”.
“Këto ankesa janë në trajtim e sipër, andaj KQZ-ja sot do të bëjë shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve për 35 komunat e tjera, ndërsa për tri komunat e mbetura shpallja e rezultateve përfundimtare do të bëhet në vijim, pasi të konsumohen të gjitha mundësitë për paraqitjen e ankesave edhe në Gjykatën Supreme”, ka thënë Radoniqi.



