Prishtinë: Dënohet me 20 vite burgim e akuzuara për vrasjen e kunatit të saj

Gjykata Themelore në Prishtinë, e shpalli fajtore të akuzuarën N.M, për veprën penale vrasje e rëndë.

Sipas aktgjykimit, N.M është dënuar me 20 vjet burgim, për vrasjen e kunatit të saj. Ngjarja ndodhi më 20 gusht 2024, rreth orës 19:00, në rrugën “Ismet Krasniqi” në Prishtinë.

“E akuzuara në mënyrë dinake dhe për motive të ulëta xhelozie me dashje e kishte privuar nga jeta tani të ndjerin kunatin e saj, Xh.M., ku e akuzuara pasi ishte ndier e pa respektuar dhe e braktisur nga familjarët e saj duke menduar që i ndjeri kishte ndikim në këto rrethana”, thuhet në komunikatën për media.

Gjykata sqaron se e akuzuara kishte përgatitur veprimin paraprakisht, duke ndjekur kursin për përdorimin e armëve të shkurtra, blerë armë dhe municion, dhe kishte shfrytëzuar momentin kur anëtarët e tjerë të familjes nuk ishin prezent.

“Në momentin që e kishte parë të ndjerin Xh. M., duke kaluar në korridorin e shtëpisë për të shkuar në oborrin e përbashkët, kishte dalur në korridor një vend dhe kohë kur i ndjeri nuk e priste, në mënyrë dinake e akuzuara kishte shtënë në drejtim tani të ndjerit disa herë, duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit dhe si pasojë e plagëve të marra i ndjeri Xh.M. kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes”, thuhet në komunikatë.

Artikuj të tjerë

Back to top button