Profesionistët shëndetësorë të Kosovës drejt emigrimit: Pagat e ulëta dhe ngarkesa e madhe po i shtyjnë jashtë vendit

Pagat e ulëta, mungesa e pajisjeve dhe ngarkesa e madhe në punë po i shtyjnë profesionistët shëndetësorë nga Kosova të kërkojnë kushte më të mira jashtë vendit. Të dhënat nga odat profesionale tregojnë se interesimi për punësim në vendet e Bashkimit Evropian vazhdon, ndonëse në fillim të këtij viti vërehet një ulje relative e kërkesave. Gjatë vitit të kaluar, dhjetëra mjekë dhe infermierë kanë kërkuar dokumente për emigrim.
Shumë profesionistë shëndetësorë në Kosovë paguhen pak krahasuar me përgjegjësinë dhe ngarkesën e punës që mbajnë. Mungesa e pajisjeve mjekësore, stresi i vazhdueshëm dhe oraret e gjata të punës po i shtyjnë ata të kërkojnë kushte më të mira pune jashtë vendit.
Nënkryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Naser Gjonbalaj, ka deklaruar për Radio Kosovën se, bazuar në databazën e kësaj ode, vetëm gjatë vitit të kaluar 94 mjekë kanë kërkuar certifikatë të sjelljes së mirë, dokument i nevojshëm për punësim jashtë vendit.
“Duke u bazuar në databazën e Odës së Mjekëve të Kosovës, vetëm gjatë vitit të kaluar kemi pasur 94 kërkesa për certifikatë të sjelljes së mirë, e cila u nevojitet për punësim jashtë vendit. Ndërsa në fillim të këtij viti nuk kemi pasur ende kërkesa të proceduara, por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë në vazhdim”, tha ai.
Kërkesa për dokumente të ngjashme janë shënuar edhe në Odën e Infermierëve të Kosovës. Nexhmie Gori, nga ky institucion, ka thënë se gjatë vitit 2025 janë lëshuar 76 vërtetime të kodit etik dhe 192 licenca të paplastifikuara, dokumente që zakonisht kërkohen nga profesionistët që synojnë punësimin jashtë vendit.
Sipas saj, krahasuar me vitet paraprake, vërehet një ulje relative e numrit të kërkesave.
“Meqë jemi në fillim të vitit, në Odën e Infermierëve të Kosovës deri më tani kemi pasur katër kërkesa për vërtetime të së kaluarës etike dhe profesionale, të cilat synojnë punësimin jashtë vendit, kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian”, tha ajo.
Sipas Odës së Mjekëve dhe Odës së Infermierëve të Kosovës, mjekët dhe infermierët nga vendi kryesisht emigrojnë në vendet e Bashkimit Evropian. Arsyet kryesore të kësaj ikjeje mbeten pagat e ulëta, mungesa e pajisjeve mjekësore, ngarkesa e madhe në punë dhe mungesa e mundësive për avancim profesional.



