Ballina

Prokurori Shala lëshon urdhër-arrest ndaj Milan Radojiçiq për barrikadat e vitit 2022 në veri

Prokuroria Speciale ka lëshuar letër-rreshtim vendor e ndërkombëtar ndaj Milan Radojiçiq dhe grupit të tij, si dhe urdhërarrest ndaj tyre në lidhje me barrikadat në veri të vendit në vitin 2022, merr vesh Gazeta Nacionale. Përmes burimeve, Nacionale ka marrë vesh se nën hetime për këtë rast janë 46 persona. Për Radojiçiq dhe 10 persona të tjerë (gjithsejt 11) është lëshuar urdhërarrest, dhe letër-rreshtim vendor e ndërkombëtar. Prokuror i rastit është po i njejti që po merret me dallaveret në Ministrinë e Faton Pecit, Admir Shala.

Gjatë ditës nga Prokuroria Speciale u bë e ditur se për barrikadat është ftuar për intervistim edhe Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, për të cilin intervistimi do të bëhet një ditë tjetër.

Intervistmi i z.Elek është shtyrë me kërkesë të mbrojtjes për një datë tjetër, për arsye shëndetësore të avokatit të z.Elek” –ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Speciale.

Barrikadat e vitit 2022

Më 10 dhjetor 2022, Policia e Kosovës kishte arrestuar ish-policin serb, Dejan Pantiq.

Ky i fundit ishte i dyshuari kryesor për organizimin e sulmit terrorist ndaj zyrave të KQZ-së në veri të Mitrovicës —përpjekje kjo për t’i sabotuar zgjedhjet lokale për komunat veriore që ishin paraparë të mbaheshin me 18 dhjetor.

Dhjetra serbë, të organizuar nga strukturat paralele në veri, kishin sfiduar institucionet e sigurisë duke barrikaduar rrugët kryesore në veri.

Duke qenë se Policia e Kosovës nuk zotëronte helikopterë, ajo u detyrua të ‘ngujohej’ në barakat e pikëkalimit kufitar në Jarinje bashkë me serbin e arrestuar.

Për tetëmbëdhjetë ditë me radhë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministri i tij i Brendshëm Xhelal Sveçla nuk guxuan të japin urdhër për largimin e barrikadave ashtu që të garantohej liria e lëvizjes në këtë pjesë të Kosovës.

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe ShBA-së, presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri Albin Kurti u pajtuan për gjetjen e një zgjidhje për deeskalimin e gjendjes në veri.

Në një kumtesë që e kishte lëshuar Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Kurti dhe udhëheqja kosovare kishin pranuar një nga kërkesat kryesore të Serbisë: mosarrestimin e atyre që i bllokonin rrugët në veri përmes barrikadave.

“Ne mirëpresim garancitë e udhëheqësisë së Kosovës që konfirmon se nuk ekzistojnë kurrfarë listash për arrestimin apo përndjekjen e qytetarëve serbë të Kosovës për protesta e barrikada paqësore”, thuhej në njoftimin e Brukselit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button