Prokuroria interviston një person për rrëmbimin e Millan Vukashinoviq

Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka njoftuar se ka intervistuar një person lidhur me plagosjen dhe rrëmbimin e serbit Millan Vukashinoviq.

“Mund të konfirmojë se një person i afërm me viktimën është intervistuar nga Prokuroria për këtë rast dhe se Prokuroria në bashkëpunim me policinë po heton rastin”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

E avokati serb Ivan Niniq ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Serbe dhe grupit të Millan Radojçiqit, për këtë rast.

“Për shkak se për pesë ditë askush nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar lidhur me qëllimin me armë ndaj Milan Millan Vukashinoviqit, unë, në emër të nënës së tij, kam dorëzuar kallëzim penal te Prokurori i Lartë Publik në Prokuplje, për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë, kundër personave të panjohur — pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë, policisë ose grupit të Milan R.”, ka shkruar Niniq në platformën “X”.

Sipas Policisë Millan Vukashinoviq shtetas i Kosovës i nacionalitetit serb dyshohet të jetë rrëmbyer në zonën e quajtur “pika zero”, në afërsi të Leposaviqit, në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Për këtë rast, Policia e Kosovës ka njoftuar KFOR-in, si përgjegjës për sigurinë në brezin kufitar.

Artikuj të tjerë

Back to top button