Prokurorit Beqë Shala i caktohet 30 ditë paraburgim nën dyshimin për ryshfet

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke i caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh Beqë Shalës, prokuror tashmë i pezulluar në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prizren, nën dyshimin për veprën penale “Marrje ryshfeti”.

Lajmin e ka konfirmuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas Gjykatës, masa e paraburgimit iu caktua Shalës pas mbajtjes së seancës dëgjimore.

Në vendimin e saj, gjykata theksoi se paraburgimi është masë adekuate, pasi nëse i pandehuri lihet në liri, ai mund të ndikojë në prova dhe dëshmitarë.

Gjykata vlerësoi se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale dhe parandalimin e përsëritjes së veprave penale.

Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndërkohë, prokurori special Valdet Gashi tha se kërkesën për caktimin e paraburgimit e kanë bazuar në prova të siguruara gjatë fazës së hetimeve.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button