Publikohet raporti i BE-së: Kurti përdori gjuhë fyese ndaj gazetarëve gjatë fushatës

Juristja për media, Flutura Kusari, ka publikuar raportin e Bashkimit Evropian (BE) për vitin 2025-të për Kosovën.

Kusari përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka treguar në detaje të gjeturat e këtij raporti për Lirinë e Medias në vend.

Sipas raportit, janë raportuar 70 raste ku gazetarët kanë qenë cak i sulmeve fizike, verbale ose edhe kërcënimeve.

Në këtë raport është cekur se edhe fushata zgjedhore duke përfshi zyrën e kryeministrit kanë përdorur gjuhë ofenduese ndaj mediave.

“Gjatë periudhës së raportimit, u raportuan 70 raste të sulmeve fizike dhe verbale ose kërcënimeve ndaj gazetarëve, duke përfshirë pengimin e punës së gazetarëve dhe punonjësve të mediave, kërcënime dhe përdorimin e gjuhës fyese ndaj tyre. Gjatë së njëjtës periudhë, u regjistrua edhe një rast i padisë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP). Gjatë fushatës zgjedhore, zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë edhe Kryeministrin, përdorën gjuhë ofenduese ndaj mediave”, thuhet në raport.

Në raport është cekur edhe mjedisi legjislativ i Kosovës ku kërkohet të harmonizohet me acquis-in e ri të BE-së dhe standardet tjera ndërkombëtare në veçanti me Aktin Evropian për Lirinë e Medias.

“Legjislacioni i Kosovës që lidhet me mediat duhet të harmonizohet me acquis-in e ri të BE-së dhe me standardet e tjera ndërkombëtare përkatëse, në veçanti me Aktin Evropian për Lirinë e Medias dhe me Direktivën e BE-së kundër SLAPP (padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike). Miratimi i Ligjit për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) dhe Ligjit për mbrojtjen e burimeve gazetareske ende mbetet në pritje”.

“Ligji Civil Kundër Shpifjes edhe Fyerjes duhet të harmonizohet me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) u anulua nga Gjykata Kushtetuese, pasi dispozitat për emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të KPM-së u konsideruan jokushtetuese, duke rrezikuar kështu pavarësinë e këtij institucioni. Është thelbësore që ligji të harmonizohet plotësisht me standardet ndërkombëtare dhe ato BE-së”.

Artikuj të tjerë

Back to top button