
Kryetari i Sindikatës së re të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, ka zbuluar kërkesën kryesore të punëtorëve që protestuan të mërkurën, duke kërkuar një pagë mesatare prej 1,100 eurosh.
Sipas tij, kjo shifër është përmendur më parë nga kryeshefi i KEK-ut, i cili kishte thënë se punëtorët e ndërmarrjes marrin pagë mesatare rreth kësaj vlere.
Në fjalën e tij para punëtorëve, Llumnica ka theksuar se do të bazohen në fjalën e kryeshefit dhe do të kërkojnë pagë në këtë nivel.
“Kryeshefi i KEK-ut jo vetëm se nuk është i interesuar t’i zgjidhë kërkesat e punëtorëve të KEK-ut, por po na thotë se i kemi pagat më të larta në Kosovë. Sigurisht se ai po i mendon shërbyesit civilë sikur ndërmarrjet publike, e aq më larg KEK-un që sot vdesin 1% të stafit.
Kryeshefi i KEK-ut na tha se i kemi mbi 1,100 e disa euro të ardhura mujore. Ne Sindikata e re e Korporatës Energjetike të Kosovës e dimë që mesatarja e pagës bazë është rreth 750 euro. Kam thënë se e kam një surprizë, e ajo surprizë është mos t’ia shkelim fjalën kryeshefit, pra ne nga këtu kërkojmë 1,100 euro pagë mesatare. Për të mbetur kjo pagë 1,100 duhet të shtohen edhe 350 euro për secilin punëtor, në bazë të pagës mesatare. Prandaj nga këtu kjo kërkesë do të jetë legjitime dhe nuk do ta anashkalojmë asnjëherë deri në grevë.”
Llumnica ka akuzuar më tej menaxhmentin e KEK-ut për keqplanifikim dhe keqmenaxhim, duke theksuar se punëtorët janë ata që mbajnë prodhimin:
“Kjo që po e bën menaxhmenti i KEK-ut po duket si për inat, po këta punëtorë janë të cilët e mbajnë prodhimin. Ne shpeshherë kemi punuar pa menaxhment fare. Na u është thënë se performanca është e dobët, jam i bindur se performanca ka qenë shembullore, por keqplanifikimi dhe keqmenaxhimi nuk janë faj i yni.”
Protesta e fundit e punëtorëve vjen pas muajsh kërkesash të paplotësuara, duke nxitur shpalosjen e asaj që Llumnica e quajti “surpriza” për menaxhmentin.



