Ballina

Qelaj: Kosova po e përgatit terrenin, ndryshimi i madh ndodh kur kalon Kodi Civil

Me temën “Shteti dhe të Drejtat e Personave LGBTQI+ – Përgjegjësitë në Kohë Sfiduese”, u mbajt Konferenca Vjetore që synoi të thellojë diskutimin mbi rolin e institucioneve në avancimin e të drejtave të personave LGBTQI+, raporton Ekonomia Online.

Rina Braimi nga CEL Kosova theksoi bllokimin e miratimit të Kodit Civil për shkak të nenit 1138 dhe mungesën e strehimores për personat LGBTI si pasojë e refuzimit institucional.

Ajo kritikoi gjithashtu gjuhën nxitëse të deputetes Duda Balje.

“Procesi i draftimit të Kodit Civil ka nisur 2014 ende sot nuk është miratuar për shkak të një neni të vetëm 1138, ky nen nuk rregullon martesat mes personave me seksin e njëjtë, edhe pse nuk i rregullon ka mjaftuar që të bllokohet. Strehimorja për personat LGBTI, diskutim që ka filluar 2020 ende nuk është ndërtuar, dhe kjo është refuzim institucional për t’u dalë në ndihmë të pambrojturve. Që nga viti 2022 kemi ngritur vazhdimisht zërin për deputeten parlamentare Duda Balje, e cila në mënyrë të hapur shpreh qëndrime kundër barazisë për të drejtat e të gjithë qytetarëve. Është shembull i mosfunksionimit institucional, shpesh është përdorur fjala degjenerim, turp e marre. Gjuha nxitëse dhe gjuha e urrejtjes riprodhon të njëjtën dhe ne duam një shoqëri që mund të jetojmë pa dhunë dhe në mirëqenie”, deklaroi Braimi.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, shprehu shqetësimin për stagnimin e progresit në të drejtat e njeriut, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe miratimit të Kodit Civil si hap kyç për ndryshim të qëndrueshëm në Kosovë.

“Me një periudhë kohore mund të them kemi qenë në rrugë të mbarë në respektimin e të drejtave të njeriut, shpeshherë sikur mos me lejuar për me qenë gjithçka mirë ndodh diçka që e prish këtë imazh të mirë të punës. Viteve të fundit kemi pasur një regres apo stagnim të situatës dhe janë shfaqur polarizime sepse sa më afër të përfundimit të procesit më të ashpra bëhet diskursi, fjalori dhe gjuha në mes palëve që janë pro dhe kundër. Avokati i Popullit në vazhdimësi ka pasur një bashkëpunim të mirë me shoqërinë civile, është e rëndësishme një institucion si vepron në atë që thotë. Kosova po e përgatit terrenin dhe ndryshimi i madh ndodh kur Kodi Civil kalon”, shtoi Qelaj.

Konferenca hapi hapësirë për diskutim të thelluar mbi përgjegjësinë institucionale në avancimin e të drejtave të personave LGBTQI+, si dhe mbi sfidat që paraqesin lëvizjet anti-gjinore në një kontekst global e lokal gjithnjë më të ndërlikuar.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button