Qëndrim Kryeziu: Koha e qeverisjes së dështuar ka mbaruar qytetarëve do t’u kthehen pronat

Kandidati për deputet, Qëndrim Kryeziu, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në ikje, Albin Kurti, duke e cilësuar si “kryeministrin më të korruptuar që ka pasur Kosova”. Ai thotë se modeli i qeverisjes së Kurtit ngjan me praktikat e liderëve autoritarë.
“Kryeministri në ikje, Albin Kurti, ka qenë kryeministri më i korruptuar që ka pasur Kosova. Ai ka ndërtuar një sistem që i ngjan modelit të Ferdinand Marcosit – kapje e shtetit, manipulim i ligjeve dhe krijim i monopoleve politike e ekonomike për interes të vetin”, deklaroi Kryeziu në reagimin e tij.
Sipas tij, sjellja politike e Kurtit ka qenë e bazuar në “centralizim ekstrem dhe bllokim të çdo procesi që nuk kontrollohej personalisht prej tij”.
Akuzat për kapje të pronës publike
Kryeziu theksoi se përmes Ligjit 08/L-125 dhe ndërhyrjeve të fshehta në Ligjin për Pyjet, përfshirë nenin 25 të futur natën e 26 tetorit 2023, prona publike “u përqendrua në duart e qeverisë në ikje”.
“U krijua një sistem ku vendos vetëm një zyrë: kush merr tokë, kush investon, kush lejohet dhe kush ndalohet. Kjo nuk është qasje zhvillimore, por kapje politike e pronës publike”, u shpreh ai.
Kryeziu shtoi se këto veprime i kanë shkaktuar vendit dëme që “shkojnë deri në triliona euro”, duke theksuar se pasojat do të jenë të vështira për t’u rikuperuar.
“A po jetojmë në një mbretëri apo në një vend demokratik?”
Duke kritikuar mënyrën e qeverisjes së Kurtit, ai ngriti pyetjen:
“A po jetojmë në një mbretëri apo në një vend demokratik? Këtë nuk mund ta lejojmë.”
Kryeziu tha se bashkë me kandidatin për kryeministër, Bedri Hamza, do të fokusohen në rikthimin e pronave tek qytetarët dhe në vendosjen e një qeverisjeje transparente.
“Bashkë me kryeministrin tonë Bedri Hamza, do t’u kthejmë qytetarëve pronat e tyre. Koha e qeverisjes së dështuar ka mbaruar”, deklaroi ai.
Premtimi për stabilitet dhe zhvillim
Në fund, Qëndrim Kryeziu theksoi se vendi ka nevojë për “stabilitet, zhvillim dhe kthim te logjika e punës”.
“Unë kandidoj për të sjellë një shtet që hap mundësi, jo që i mbyll ato. Kosova meriton zhvillim, jo eksperimente të dështuara”, përfundoi ai.



