
Një qytetar ka ngritur publikisht shqetësime lidhur me përvojën e tij me agjencinë e marketingut digjital Kerko.com, duke pretenduar se pas kryerjes së pagesës për shërbime të rritjes së ndjekësve në rrjete sociale, nuk ka marrë shërbimin e premtuar.
Sipas qytetarit, i cili thotë se ka qenë vetë cak i këtij rasti, marrëveshja është bërë përmes komunikimit online, ku Kerko.com ka ofruar paketa për rritje të followers-ave dhe promovim digjital. Megjithatë, pas pagesës, ai pretendon se rezultatet kanë munguar, ndërsa komunikimi me agjencinë është bërë i vështirë.
“Pas kryerjes së pagesës, nuk kam marrë shërbimin për të cilin kam paguar. Nuk ka pasur rritje reale të ndjekësve dhe as sqarime të qarta,” ka deklaruar qytetari, duke shtuar se rasti i tij është një paralajmërim për të tjerët.
Ai thekson se përvoja e tij duhet të shërbejë si thirrje për kujdes për qytetarët dhe bizneset që kërkojnë shërbime marketingu digjital, veçanërisht ato që premtojnë rezultate të shpejta dhe të garantuara.
Njohës të fushës së marketingut digjital vlerësojnë se rritja artificiale e ndjekësve, përveçse jo efektive, mund të dëmtojë faqet në rrjete sociale dhe besueshmërinë e bizneseve.



