Rama në DASh flet për “vështirësitë serioze” të Kryeqytetit me Qeverinë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është duke qëndruar në ShBA, ku thotë të ketë takuar Jeremy Long, Zëvendësdrejtor në Zyrën për Çështjet e Evropës Qendrore në Departament të Shtetit.
Atij, Rama thotë se i tregoi për, siç thotë, vështirësitë serioze me të cilat po përballet Kryeqyteti me Qeverinë Qendrore.
“Ndava vizionin e Prishtinës për katër vitet e ardhshme dhe theksova vështirësitë serioze me të cilat po përballet Kryeqyteti me Qeverinë Qendrore, veçanërisht bllokimin e vazhdueshëm të buxhetit të qytetit”, shkruan Rama në Facebook.
Ai tha se me Long ka diskutuar edhe për “potencialin e madh” që kanë kompanitë amerikane për të investuar në Prishtinë, sidomos teksa vendi po përgatitet për Lojërat Mesdhetare 2030.
“Energjetika alternative dhe projektet e mëdha zhvillimore janë fusha kyçe ku partneriteti mund të sjellë ndikim real”.
“Prishtina është e hapur për investitorët amerikanë dhe së shpejti do të organizojmë një konferencë të veçantë për të prezantuar mundësitë dhe për të ndërtuar partneritete të reja”, theksoi Rama.



