Rama: Në fillim isha i hapur për bashkëpunim, pastaj pashë bllokadat e qëllimshme të VV-së

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka folur për vështirësitë që thotë se ka përjetuar gjatë mandatit të tij si kryetar i kryeqytetit. Ai ka deklaruar se, ndonëse në fillim ishte i hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë, më pas është përballur me pengesa të qëllimshme nga qeveria qendrore dhe Lëvizja Vetëvendosje.
“Në dy vitet e para kam qenë i hapur për bashkëpunim me të gjithë dhe kam pritur që do të kemi një bashkëpunim të mirëfilltë, pa marrë parasysh partinë. Por pas dy vjetësh e kuptova që Vetëvendosja ka qenë bllokuese dhe kanë bërë bllokada të qëllimshme. Nuk e kam kuptuar këtë,” tha Rama në Klan Kosova.
Ai shtoi se qëllimi i tij ka qenë të realizojë projekte të mëdha për kryeqytetin, të cilat, sipas tij, janë në interes të qytetarëve e jo personal.
“Kam menduar që kushdo që është i zgjedhur nga qytetari i kryeqytetit duhet t’i bashkohet një vizioni për transformim të mirëfilltë. I kemi pasur projektet më madhore si Unazën e Kryeqytetit, që është për të mirën e të gjithëve, jo për të mirën time personale. Kryeqyteti më ka votuar për t’i çuar proceset përpara,” u shpreh Rama.



