Ramosaj: AAK-ja të qëndrojë në opozitë

Bashkim Ramosaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka fituar qysh në raundin e parë në garën për kryetar të Deçanit.
Ramosaj ka komentuar edhe mundësinë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e qeverisë.
“Nuk është përgjegjësi parësore e jona. Janë tri parti të tjera më të mëdha që kanë përgjegjësi më të madhe. LVV duhet të bëjë kompromiset më të mëdha pasi që është partia më e madhe. Demokracia është kompromis sepse kur sovrani nuk ta jep të drejtën me udhëheq vetë është shumë e qartë do të thotë që të bësh koalicion. Në esencë është kjo dhe si duket kemi të bëjmë më një skenë politike që e ka këtë kryeneçësi dhe si pasojë e kësaj është gjendja ekonomike e politike në vend. Janë dy gjëra, LVV të bëjë koalicion më dikë dhe mundësia tjetër është që opozita me e bë Qeverinë. Zgjidhja bëhet kur njerëzit duan me bo zgjidhje por vetëm duhet të hiqet mendësia “unë jam dhe nuk ka kush tjetër””, tha Ramosaj për Kallxo.com.
Tutje Ramosaj tha se preferon që AAK-ja të mbetet në opozitë.
“Për mua, në rast se dëgjohem, unë jam ithtar i asaj që AAK me qëndru në opozitë në çfarëdo varianti të mundshëm dhe që AAK të kandidojë e vetme, jo me parakoalicione”, tha ai.
I pyetur nëse ka pasur interesim të LVV-së për marrjen e votave nga AAK në Kuvendin e Kosovës, Ramosaj tha se po.
“Po, ka pasur, normal që ka pasus. Përgjigjja është: jo. Dhe unë jam ithtar i përgjigjes jo. Unë jam ithtar i zgjedhjeve të ndryshme dhe besoj që qytetarët do të votojnë ndryshe”, deklaroi ai.



