
Një aksident trafiku ka ndodhur këtë të shtunë, më 27 shtator 2025, në magjistralen Ferizaj-Gjilan, në fshatin Sojevë, ku janë përfshirë një veturë zyrtare e policisë dhe një veturë civile.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar për Arbresh.info se aksidenti ka ndodhur rreth orës 12:00 dhe se fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar.
“Aksidenti ka ndodhur në rrugën magjistrale Ferizaj-Gjilan, ku janë përfshirë një veturë zyrtare e policisë dhe një veturë civile me targa vendore. Në këtë ngjarje janë shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar,” ka deklaruar Veseli.
Njësia e Hetimeve të Aksidenteve ka dalë në vendngjarje dhe është duke trajtuar rastin.
Në disa raportime mediatike, është përmendur se aksidenti ka përfshirë veturën e eskortës së kryetarit të Kuvendit, Dimal Bashës, por deri tani nuk ka informacione shtesë në lidhje me identitetin e personave të përfshirë.