
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti vetëm pak ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme shfrytëzoi momentin duke i rikujtuar qytetarëve, vendimin për rritjen e pagës minimale e cila do të hy në fuqi nga janari 2026.
Ai bëri të ditur edhe njëherë, se vlera minimale mujore do të kalojë nga 350 në 425 euro bruto, ndërsa më 1 korrik do të hyjë në fuqi edhe faza e dytë e vendimit, që e çon këtë pagë në 500 euro, nëse arrin të bëhet Qeveria “Kurti 3”.
Kurtit tha se rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat pritet të përfitojnë nga ky ndryshim, i cili, sipas tij, vjen pasi paga minimale për më shumë se një dekadë kishte mbetur në nivelin 130/170 euro.
Pas njoftimit të Kurtit, kanë reaguar përfaqësues të sindikatave, organizatave të konsumatorëve dhe ekspertë ekonomikë ku këtë vendim e kanë cilësuar si të motivuar në kohë fushate dhe të pamjaftueshme për shportën e familjeve kosovare.
Përfaqësuesi i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi pas vendimit për rritjen e pagës minimale nga 350 euro në 425 euro e cilësuar atë si të pamjaftueshme dhe të motivuar nga proceset zgjedhore.
“Kemi kërkuar rritje të pagës me vite radhazi, kjo rritje s’ka ardh për shkak se po ju dhimbën punëtorët e sektorit privat por për shkak të zgjedhjeve”, tha Azemi.
Ai tha se sindikata ka kërkuar rritje të pagës për vite me radhë dhe se propozimi i tyre ka qenë që paga minimale të jetë 600 euro.
“Vendimi u pat marr në një takim me Hekuran Muratin ku ne kemi propozuar 600 euro por vendimi u murr për 500 e tash e kanë rritë 425 euro atëherë në start duhet të jetë 500 pasi që edhe sot që është paga minimale 350 euro shumicën e pagave i kemi 300 euro vetëm aty ku prekë qeveria dhe kuvendet komunale”, deklaroi Azemi.
Azemi u shpreh se paga aktuale minimale prej 350 eurosh nuk respektohet as sot, pasi shumë punëtorë marrin rreth 300 euro, edhe pse vendimi ekziston.
“Nga java e ardhshme do të shikojmë se aty ku financohet punëtorët nga qeveria dhe kuvendet komunale do të kërkojmë që paga minimale duhet të jetë 650 euro. Kjo shumë nuk i përmbush kriteret e shportës së familjeve kosovare, sot kemi punëtorë që paguhen ndër 300 euro edhe pse paga minimale është 350 euro vendimin e vetë nuk e zbatojnë”, thotë Azemi.
Jakup Qorrolli, ekspert i ekonomisë ka paralajmëruar se vendimi për rritjen e pagës minimale nga janari në 425 euro mund të ketë pasoja negative për bizneset dhe ekonominë.
Ai tha se rritja e pagës minimale duhet të bëhet me konsultim të përfaqësuesve të bizneseve.
“Sot lajmëroi që pagën minimale do ta rritë sipas tij do ta trefishojë në gjysmë të vitit, kjo është e nevojshme por jo pa konsultën e përfaqësuesve të bizneseve e odat ekonomike e bashkëpunëtorët profesional por Kurtit nuk i intereson mendimi i të tjerëve nuk është bashkëpunues dhe nuk i mendon dëmet e shkaktuara”, deklaroi Qorrolli.
Sipas tij, vendimi i Qeverisë mund të çojë në mbyllje të bizneseve, duke kthyer vendin më shumë në një popull konsumues sesa prodhues.
“Me këtë vendim ai do të mbyllë bizneset qoftë ato të gastronomisë, sigurimeve të marketeve se pagesat ndaj shërbimit të tyre se bizneset nuk mund të ja dalin pa të ardhura dhe shkakton largim nga vendi i punës e pas kësaj vazhdon migrimi”, tha ai.
Qorrolli kritikoi kryeministrin për mosmarrjen parasysh të dëmeve të mundshme për ekonominë.
“Do të kemi më pak trust pensional, më pak të hyra buxhetore për institucione dhe më pak TVSH. Kur shkatërrohen e mbyllën bizneset ne do të kthehemi në një popull konsumues dhe jo prodhues”, ka deklaruar Qorrolli.



