Rinumërohen votat e “dyshimta” të LDK-së, pritet fjala e prokurorisë

Të premten ka vazhduar rinumërimi i 36 vendvotimeve në të cilat janë votat e LDK-së në Komunën e Vushtrrisë. Prokuroria Themelore e Mitrovicës po e pret KQZ-në që t’ia dorëzojë shifrat e votave në mënyrë që ta vërtetojë nëse janë të vërteta ankesat e Rrezarta Krasniqit, e cila e cila akuzoi bashkëpartiakun Xhafer Tahiri për manipulim me vota.
Nga e enjtja mediat e kanë pasur të pamundur të futen brenda Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve.
Situatë e njëjtë ishte edhe sot, të premten.
Përpos mediave që nuk po lejohen të jenë prezente brenda QNR-së, TV Dukagjini nga burime të mirë informuara, ka kuptuar se as vëzhgues e as komisionarë të LDK-së nuk janë prezent në numërimin e votave, e urdhëruar nga e urdhëruar nga Prokuroria.
Dje janë rinumëruar 60 vendvotime ndërsa sot në proces kanë qenë 36 vendvotime.
Të gjitha janë vota të rinumëruara të Lidhjes Demokratike (LDK) nga të gjitha qendrat e vendvotimeve në komunën e Vushtrrisë.
Edhe në oborr por edhe përballë objektit po qëndrojnë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Ky proces siç mëson TV Dukagjini po kryhet nga vetë hetues policorë dhe të Prokurorisë.
Nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës kanë thënë se po e presin një raport zyrtar nga KQZ që flet për rezultatet dhe votat, në mënyrë që të kenë një vlerësim për të parë se cilët do të jenë hapat e mëtutjeshëm, përfshirë hetime penale.