Në emisionin EURO n’7 me Menduh Abazin, ministrja për Ekonomi në qeverinë e Kosovës, Artane Rizvanolli ka folur për projektet energjetike, shtrenjtimin e rrymës e ndërmarrjet publike në vend.
Qeveria e Kosovës sipas ministres së Ekonomisë ka përgatitur një plan shumë ambicioz për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese në vend ku disa prej tyre mund të nisin qysh vitin e ardhshëm.
Ajo ka shpjeguar se deri në vitin 2025 do të bëhet hartimi i projekteve dhe do të lansohet qoftë tenderët qoftë ankandet publike ku kompani të ndryshme mund të shprehim interesim për ndërtimet e kapaciteteve të reja.
“Disa prej projekteve për të cilat i kemi paraparë në strategjinë tonë do të përfundojnë deri në 2025 e disa të tjera do të nisin. Tash jemi në fazën në zbatimin e politikave, është diçka që jodomosdoshmërisht nis dhe mbaron brenda një mandati qeverisë. Ne kemi pasur plane e projekte energjetike edhe në të kaluarën por të gjithë e dimë përfundimin e tyre pra asgjë s’ka lëvizur. Pra është me rëndësi që plani dhe ecuria tyre të bëhen me kujdes që mos dështojmë sikur në të kaluarën”, ka thënë ministrja.
Sipas saj projekti më i madh e poashtu edhe investimi më i madh në sektorin e energjisë i kësaj qeverie do të jetë parku solar i cili tashmë ka hyrë në fazën finale të përzgjedhjes së kompanisë.
“Tanimë në këtë fazë të projektit kanë mbetur 6 kompani në garë në një proces shumë transparent dhe ato janë, Konzorciumi Calik – Limak nga Truqia, Notus Energie nga Gjermania, Acu Energy nga Franca, Elsvedi Electric nga Egjipti, Gyrish Insart nga Turqia dhe një kompani nga diaspora me seli në Zvicërr e quajtur Orllati së bashku me një grup të kompanive tjera zviceriano-kosovare”, ka thënë ministrja Rizvanolli.
Ankandi solar 100 Mëh sipas ministres Rizvanolli demonstron përkushtimin e Qeverisë karshi procedurave konkurruese dhe transparente për një tranzicion energjetik të orientuar drejt konsumatorit në Kosovë.
Ky parashihet të jetë ankandi i parë prej shumë ankandeve solare dhe të erës në të ardhmen.