Rrjedhja e afatit dhjetë ditor për mandatarin e dytë, Presidentja jashtë vendit

Një ditë pas dështimit të mandatit të Albin Kurtit për formimin e qeverisë së re, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Riad të Arabisë Saudite. Kjo lëvizje është vlerësuar si e pakuptimtë nga përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët thonë se Osmani duhej të qëndronte në Kosovë për të nisur konsultimet me partitë politike rreth hapave të ardhshëm kushtetues.
Nga Zyra e Presidencës kanë bërë të ditur për KosovaPress se Osmani do t’i ftojë partitë politike për konsulta brenda afatit kushtetues, i cili përfundon më 5 nëntor.
Porse, përfaqësues të organizatave joqeveritare kërkojnë që procesi të nisë pa vonesë, në mënyrë që të mos humbet kohë në përcaktimin e shumicës së re parlamentare apo të datës së zgjedhjeve të reja.
Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, e cilëson të pakuptimtë mungesën e presidentes në një moment kaq të ndjeshëm politik.
“Është deri diku e pakuptimtë sesi presidentja e vendit, në një situatë të tillë politike dhe kushtetuese, nuk ndodhet në Kosovë. Çdo moment i humbur është një mundësi e humbur për gjetjen e një daljeje nga kjo situatë. Sa më parë që të zhvillohen konsultat me partitë, aq më mirë për vendin”, ka theksuar Cakolli.
Ai shton se presidentja duhet të verifikojë nëse ekziston gatishmëri nga ndonjë subjekt parlamentar për të marrë mandatin dhe për të tentuar formimin e qeverisë. Në të kundërtën, Osmani mund të shpërndajë Kuvendin dhe të caktojë zgjedhjet e parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve.
“Gjasat janë që zgjedhjet e reja të mbahen në mes të 7 dhe 14 dhjetorit të këtij viti”, theksoi ai.
Ndërkaq, përfaqësuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, kujton se presidentja mund të komunikojë me kryetarët e partive edhe përmes shkresave zyrtare, pa qenë e nevojshme prania fizike në vend, shkruan Telegrafi.
“Presidentja mund të komunikojë përmes shkresave me kryetarët e partive politike, njësoj siç ka ndodhur në vitin 2019. Nuk ka nevojë të pritet takimi fizik për të kuptuar nëse partitë janë të gatshme të formojnë një qeveri tjetër”, ka deklaruar Jakaj.
Më 26 tetor, mandatari për kryeministër, Albin Kurti, prezantoi kabinetin qeveritar në Kuvend, por dështoi të marrë besimin e deputetëve, pasi siguroi vetëm 56 vota nga 61 të nevojshme.
Pas këtij dështimi, liderët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të reja të parakohshme, duke bërë të ditur se nuk do të pranojnë mandatin nëse u ofrohet nga presidentja Osmani.



