Sfidat e daljes në publik të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës

Shkruan: Besarta Jashari

Edhe pas 26 viteve prej se përfundoi lufta, për krimin sistematik të dhunës seksuale që e kryen forcat serbe në Kosovë vazhdon të ketë heshtje. Që prej themelimit të Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale, kanë aplikuar 2,396 persona për njohjen e këtij statusi, por deri më tani vetëm tre persona kanë dalë publikisht dhe e kanë rrëfyer dhunën që e përjetuan, shkruan Gazeta Metro.


Heshtja dhe ngurrimi s’është pa arsye e konsideratë thonë ekspertët, ekspozimi publik i viktimave pa përgatitje të duhur psikologjike mund të jetë i dëmshëm për procesin e shërimit të viktimave.

Selvije Izeti, psikologe në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), thotë se ekspozimi publik i tyre duhet të ndodhë vetëm kur ata të jenë të përgatitur mirë emocionalisht dhe të kenë marrë mbështetjen e duhur psikologjike.

“Ky proces fillon me trajtim individual psikologjik dhe psikoedukim të vazhdueshëm mbi sfidat që mund të shfaqen pas daljes në publik, dhe përfshin domosdoshmërisht edhe punën me familjen e tyre”, tha Izeti.

Tutje, ajo shpjegon se gjatë procesit terapeutik, shumë të mbijetuar përjetojnë një ndjenjë fuqizimi dhe zhvillojnë një dëshirë të fortë për të ndarë historinë e tyre, por që pas trajtimit, sipas saj, ndodh që ata të mos jenë të gatshëm për ta ekspozuar historinë e tyre në publik.

“Megjithatë, përmes psikoedukimit, të mbijetuarit ftohen të reflektojnë edhe mbi reagimet e mundshme të familjes, komunitetit dhe shoqërisë. Shpesh ndodh që, pas këtij reflektimi të udhëhequr profesionalisht, ata të kuptojnë se kjo dëshirë mund të jetë e lidhur me një ndjenjë momentale fuqizimi dhe se ende nuk janë plotësisht të gatshëm për pasojat emocionale dhe sociale të ekspozimit publik. Për ne si profesionistë, është thelbësore që të mbijetuarit ta arrijnë vetë këtë qartësi dhe siguri në vendimin e tyre”, thekson ajo.

Pas publikimit të historisë, Izeti thotë se është jashtëzakonisht e rëndësishme të theksohet se të mbijetuarit kanë nevojë për mbështetje të strukturuar para daljes në publik, gjatë procesit të ekspozimit, si dhe për mbështetje të vazhdueshme edhe pas daljes në publik. Kjo përgatitje dhe shoqërim profesional janë thelbësore për të minimizuar rrezikun e ri-traumatizimit dhe për të siguruar që dalja në publik të kontribuojë në fuqizimin dhe procesin e shërimit të tyre.

Për Feride Rushitin, drejtoreshë e QKRMT-së, ajo që ka lënë gjurmën më të thellë ndër vite nuk janë vetëm krimet e përjetuara, por qëndrueshmëria e jashtëzakonshme e grave që kanë jetuar me këtë traumë në heshtje. Sipas saj, mungesa më e madhe sot nuk është vetëm mbështetja apo mirëkuptimi, por drejtësia.

“Në thelb mungon më së shumti një qasje e plotë dhe e integruar: rehabilitimi, reparacioni dhe drejtësia. Pa mbështetje gjithëpërfshirëse, model ky i cili është zhvilluar në KRCT ndër vite bazuar mbi nevojat e të mbijetuarve, plagët mbeten të hapura dhe ekziston rreziku që trauma të bartet edhe tek brezat e rinj. Nëse krimi mbetet pa përgjegjësi, mesazhi që i dërgohet shoqërisë është i rrezikshëm, pra krimet e dhunës seksuale të luftës mund të kalojnë pa pasoja”, ka thënë Rushiti.

Për QKRMT-në si organizatë, sfidat janë të shumta, por kryesoret mbeten: stigma që ende ekziston, frika e shumë grave për t’u identifikuar, lodhja emocionale e një traume që zgjat me vite, vonesat në qasjen në drejtësi, si dhe mungesa e shërbimeve multidisiplinare të vazhdueshme, e krijuar nga mungesa e fondeve të qëndrueshme.

“Nevojat e të mbijetuarave nuk janë vetëm psikologjike; ato janë edhe sociale, familjare dhe ekonomike. Një sfidë e vazhdueshme është fakti se këto shërbime kërkojnë vazhdimësi, staf të trajnuar dhe resurse të qëndrueshme. Trauma nuk ‘mbaron’ me një seancë dhe as nuk ka afat. Është një proces i gjatë që kërkon angazhim afatgjatë nga organizatat profesionale të licencuara për këto shërbime, institucionet dhe shoqëria. Kur mbështetja financiare luhatet, rrezikohet edhe vazhdimësia e shërbimeve, duke ndikuar drejtpërdrejt në procesin e shërimit dhe duke i rikthyer të mbijetuarit në skëterrën e errësirës, izolimit dhe dhunës në familje”, tregoi themeluesja e qendrës, Rushiti.

Rol të rëndësishëm luan edhe Komisioni Qeveritar për Njohjen e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, ku sipas këtij komisioni, anëtarët janë të trajnuar për këtë proces dhe kanë një qasje shumë sensitive, gjithmonë me viktimën në qendër, duke ndjekur parimin “Do not harm”.

“Po ashtu është mundësuar që çdo palë gjatë intervistës ta ketë me vete një shoqërues me të cilin ndihet më i sigurt, e që në shumicën e rasteve janë psikologët të cilët edhe e kanë trajtuar dhe përgatitur për aplikim. Në kuadër të Komisionit funksionon Sekretaria e Komisionit, në përbërje të një psikologu, një punëtori psikosocial dhe një juristi, të cilët janë në shërbim të aplikuesve si në zyrë, po ashtu edhe përmes linjës telefonike pa pagesë, e cila është në shërbim të palëve për t’u informuar për çdo gjë që kanë nevojë. Po ashtu, këto informata mund të merren edhe tek katër OJQ-të e autorizuara dhe në shtatë zyrat rajonale të DFDIL-së që veprojnë në kuadër të MFPT-së”, thuhet në një përgjigje me shkrim të Komisionit.

Megjithatë, psikologia Izeti vlerëson se një nga gabimet më të shpeshta që shoqëria dhe institucionet bëjnë në trajtimin e traumës së dhunës seksuale është mungesa e një qasjeje të ndjeshme dhe të informuar ndaj traumës dhe nevojave specifike të të mbijetuarve.

“Shpesh, historia e tyre trajtohet me indiferencë, paragjykime ose dyshime, që ushqejnë stigmatizimin dhe bëjnë që të mbijetuarit të ndihen edhe më të izoluar dhe të pasigurt, duke shtuar ndjenjën e turpit dhe fajit. Institucionet nuk ofrojnë mbështetjen e duhur psikosociale për të mbijetuarit, duke lënë një boshllëk të madh në procesin e rehabilitimit. Mbështetjen psikosociale të të mbijetuarve e marrin kryesisht organizatat joqeveritare”, tha ajo.

Deri më sot, vetëm tre persona kanë folur publikisht për dhunën seksuale që kanë përjetuar gjatë luftës në Kosovë. Vasfije Krasniqi-Goodman ishte e para që, në vitin 2018, e theu heshtjen duke rrëfyer publikisht përjetimin e saj. Pas saj, historinë e dhunës seksuale gjatë luftës e bëri publike edhe Shyhrete Tahiri, ndërsa në vitin 2025, Ramadan Nishori u bë burri i parë që foli hapur për dhunën seksuale të përjetuar gjatë luftës.

Organizata e Kombeve të Bashkuara zyrtarisht e përcakton përdhunimin dhe format e tjera të dhunës seksuale si krime të luftës, krime ndaj njerëzimit, si dhe taktikë e armë lufte. Por në shumicën e rasteve këto krime anashkalohen pas përfundimit të konfliktit dhe nuk ndiqen dorasit dhe përgjigjen dorasit.

Artikuj të tjerë

Back to top button